Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të publikuara në Fletoren Zyrtare, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka lëvizur me shpejtësi për të materializuar një nga instrumentet e reja që i jep kuadri i ri ligjor, duke krijuar dhe regjistruar në QKB shoqërinë e parë aksionare në këtë fushë.
Sipas të dhënave zyrtare në ekstraktin historik të regjistrit tregtar, shoqëria “Albanian Digital Solution” (ADS), me formë juridike shoqëri aksionare, është themeluar më 14 prill 2026 dhe është regjistruar më 15 prill 2026, vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore. Ajo rezulton me një kapital fillestar prej 700 milionë lekësh dhe me aksioner të vetëm vetë AKSHI-n, duke konfirmuar kontrollin e plotë shtetëror mbi këtë strukturë të re.

Objekti i aktivitetit i kësaj shoqërie është i gjerë dhe mbulon praktikisht gjithë spektrin e teknologjisë së informacionit dhe transformimit digjital në vend. Konkretisht, ADS do të angazhohet në zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe platformave digjitale, administrimin e infrastrukturave TIK, si dhe ofrimin e shërbimeve të sigurisë kibernetike, përfshirë parandalimin dhe reagimin ndaj incidenteve. Në të njëjtën kohë, shoqëria do të ketë rol në integrimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve shtetërore, mbështetjen e transformimit digjital në institucionet publike, si dhe në zhvillimin e shërbimeve digjitale edhe për sektorin privat.
Fusha e veprimtarisë shtrihet më tej edhe në këshillim, projektim, studim dhe bashkëpunim me subjekte vendase dhe të huaja, duke i hapur rrugë një roli më aktiv të kësaj shoqërie në treg, përtej funksioneve klasike të një agjencie shtetërore. Kjo nënkupton se struktura e re mund të operojë edhe në logjikë tregtare dhe të krijojë apo të marrë pjesë në shoqëri të tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Në drejtimin e saj është emëruar Saimir Kapllani, me mandat trevjeçar, i cili sipas të dhënave zyrtare është administrator i vetëm i shoqërisë. Kapllani konsiderohet një nga njerëzit më të afërt të drejtuesit të ri të AKSHI-t, Igli Tafa, aktualisht drejtues i përkohshëm i AKSK pas largimit të këtij të fundit nga posti. Kjo lidhje forcon perceptimin se struktura e re është ndërtuar si një instrument i drejtpërdrejtë i menaxhimit dhe zgjerimit të kompetencave të AKSHI-t në tregun digjital.
Krijimi i kësaj shoqërie sinjalizon një fazë tjetër në mënyrën se si shteti synon të operojë në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, pas skandalit që përfshiu AKSHI-n, për të cilin është nën akuzë dhe gjykim i tërë ish-zinxhiri komandues i institucionit./ekofin.al
