Agjencia e Inteligjencës Financiare ka evidentuar në raportin e vitit 2025 një skemë të dyshuar të përdorimit të llogarive personale për aktivitet tregtar të paregjistruar, ku përmes depozitimeve të shpeshta, kartave të parapaguara dhe blerjeve online të produkteve luksoze janë qarkulluar rreth 1.9 milion euro.
Sipas raportit, shtetasi shqiptar A kishte hapur llogari në bankën “Z” dhe gjatë periudhës 2024–2025 në llogaritë e tij janë konstatuar depozitime rreth 300,000 euro, të kryera si nga vetë ai ashtu edhe nga disa shtetas të tjerë.
Nga verifikimet në regjistrin e gjendjes civile rezultoi se një pjesë e personave të përfshirë kishin lidhje familjare me njëri-tjetrin, si motër, vëlla dhe kushërinj.
AIF thotë se pas verifikimeve të kryera edhe në banka të tjera të nivelit të dytë për llogaritë bankare të të gjithë shtetasve të përfshirë, rezultoi se gjatë së njëjtës periudhë kohore ishin depozituar në total rreth 1,900,000 euro.
Sipas të dhënave të administruara, skema funksiononte përmes përdorimit të kartave të parapaguara. Shtetasi A së bashku me 9 shtetas të tjerë ishin pajisur me karta të tilla, të cilat përdoreshin për blerjen e produkteve të markave të luksit në shtete të ndryshme.
Raporti evidenton se këta persona kryenin depozitime në llogaritë e tyre personale ose në llogaritë e njëri-tjetrit dhe më pas një pjesë e konsiderueshme e fondeve transferohej në karta Mastercard. Nga analiza e përdorimit të fondeve rezultoi se ato shfrytëzoheshin kryesisht për blerje online.
Përveç depozitimeve, llogaritë bankare ishin kredituar edhe me rreth 350,000 euro nga rimbursimi i TVSH-së përmes kompanive “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”. Edhe këto fonde, sipas raportit, janë përdorur për blerje të produkteve të markave të ndryshme.
Nga verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në sistemin tatimor rezultoi se shtetasi A kishte regjistruar në vitin 2024 subjektin “X”, me objekt aktiviteti “shitje veshjesh online”.
Megjithatë, sipas të dhënave të deklaruara, subjekti kishte raportuar zero të ardhura për vitin 2024, ndërsa në fillim të vitit 2025 aktiviteti ishte çregjistruar.
AIF evidenton gjithashtu se disa nga shtetasit e përfshirë rezultonin të punësuar në të njëjtat kompani, por me aktivitete të palidhura me tregtinë online apo shitjen e produkteve luksoze.
Sipas raportit, dyshimet kryesore lidhen me qarkullimin e shumave të konsiderueshme përmes sistemit bankar për një aktivitet tregtie online të paregjistruar, përfitimin e rimbursimit të TVSH-së pa rezultuar pagesa TVSH-je për importin e mallrave në Shqipëri, si dhe mungesën e të ardhurave të deklaruara që do të justifikonin depozitimet e kryera. Për këto arsye, rasti është dërguar për investigim të mëtejshëm pranë organeve të zbatimit të ligjit. /ekofin.al


