Programet aktive të tregut të punës kanë ndihmuar në përfshirjen e përfituesve të ndihmës ekonomike dhe grupeve të tjera vulnerabël, por një pjesë e tyre nuk arrijnë të ruajnë punësimin pas përfundimit të mbështetjes.
Vlerësimi i pavarur i programit të UNDP-së në Shqipëri vë në dukje se presioni institucional për të larguar përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike ka ecur më shpejt se ngritja e sistemeve që duhet t’i përgatisin dhe mbështesin ata për punësim afatgjatë. Pas përfundimit të programeve aktive të tregut të punës, përfituesit e ndihmës ekonomike shpesh e kishin të vështirë të vazhdonin të ishin të punësuar.
Problemi lidhet edhe me mënyrën e referimit të individëve nga shërbimet sociale. Sipas vlerësimit, në disa raste personat janë dërguar drejt programeve të punësimit pa u vlerësuar mjaftueshëm nëse ishin gati për të hyrë në tregun e punës. Përfituesit mund të përballen njëkohësisht me pengesa që lidhen me aftësitë, kujdesin për fëmijët, strehimin, shëndetin ose mungesën e transportit.
Shqipëria kishte vënë në funksion tetë programe aktive të tregut të punës në nivel kombëtar deri në vitin 2025, thotë raporti. Ato përfshinin trajnime për aftësitë bazë, aftësitë numerike dhe digjitale, si edhe menaxhim të integruar të rasteve për lidhjen e përfituesve të mbështetjes financiare me tregun e punës.
Në vitin 2024 nisi edhe Programi i Riintegrimit Social, i drejtuar ndaj përfituesve të ndihmës ekonomike, komuniteteve rome dhe egjiptiane, personave me aftësi të kufizuara, grave në zonat rurale dhe grupeve të tjera vulnerabël. Programi ofron këshillim për punësimin dhe vetëpunësimin, koordinim ndërmjet shërbimeve sociale dhe atyre të punësimit, si edhe plane individuale riintegrimi.
Megjithatë, UNDP vlerëson se bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve sociale, bashkive dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive mbetet i fragmentuar. Raporti kërkon struktura të përhershme koordinimi në nivel vendor dhe monitorim të përbashkët, në mënyrë që rezultati të mos matet vetëm me hyrjen fillestare në punë, por edhe me kohëzgjatjen e punësimit.
Pengesë tjetër mbetet përfshirja e dobët e kompanive. Pjesëmarrja e sektorit privat në arsimin profesional dhe programet e nxitjes së punësimit cilësohet si sporadike, veçanërisht për të papunët afatgjatë dhe personat me aftësi të ulëta. Lidhja ndërmjet aftësive që ofrohen nga programet dhe kërkesave të ndërmarrjeve mbetet e dobët, ndërsa punëdhënësit konsultohen rrallë gjatë hartimit të kurrikulave.
Raporti sjell edhe raste pozitive. Deri në fund të vitit 2024, në skemën pilot të Garancisë Rinore ishin konfirmuar 560 të rinj që nuk ishin në punë, arsim ose trajnim, prej të cilëve 88% kishin arritur një rezultat pozitiv në punësim, arsim ose trajnim. Megjithatë, ky tregues që përfshin tri rezultate të ndryshme, nuk tregon se sa prej tyre siguruan punësim të qëndrueshëm.
Sfida kryesore mbetet kalimi nga aktivizimi administrativ drejt punësimit të qëndrueshëm. Pa mbështetje sociale që vazhdon edhe pas hyrjes në punë dhe pa një rol më të fortë të bizneseve, largimi nga ndihma ekonomike mund të mos përkthehet në dalje të qëndrueshme nga varfëria, përfundon raporti./ekofin.al

