Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka bërë të ditur emërimin e Risena Xhajës si Kryeadministratore të Agjencisë së Administrimit të Pasurave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Hoxha e përshkroi Xhajën si një profesioniste me një përvojë të konsiderueshme në administratë dhe shprehu besimin se ajo do të sjellë një zhvillim të ri dhe më të shpejtë në funksionimin e agjencisë.
Ai theksoi rolin kyç të AAPSK-së në luftën kundër krimit, përmes menaxhimit efektiv të pasurive të sekuestruara dhe theksoi se është duke u finalizuar një nismë ligjore për rikuperimin e aseteve. Kjo nismë do të krijojë Zyrën e Rikuperimit të Aseteve (ZRA), e cila do të përdorë inteligjencën policore për të identifikuar pasuritë me burim të dyshimtë, duke forcuar kështu kapacitetet për të luftuar krimin financiar.
Postimi i ministrit të Brendshëm:
“E nisëm ditën sot me prezantimin e Kryeadministratores së re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, e cila vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.
Vlerësova punën disamujore të z. Idriz Haxhiaj, në drejtimin e AAPSK, si Kryeadministrator i komanduar. Disa nga rezultatet e dy viteve të fundit, – me shifra që ndonjëherë kapërcejnë në dyfishim, – dëshmojnë seriozitetin e punës së kryer deri më sot.
Tashmë, me emërimin e Kryeadministratores së re kërkojmë që këtë punë të mirë, të kryer deri tani, ta ngremë në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë.
Agjencia është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, përmes miradministrimit të të ardhurave të paligjshme, si goditje e krimit të organizuar në pikën më nevralgjike, që është paraja.
Si ministër i Brendshëm e sigurova Kryeadministratoren, se për çdo problematikë të mbartur apo ato që dalin rrugës, do të ketë mbështetjen e plotë.
Ndërkohë, dua të informoj edhe publikun, se është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve. Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane. Kjo njësi, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë.

