Aderimi në SEPA vitin e ardhshëm do të sjellë reduktim të theksuar të kostove të pagesave dhe transfertave për qytetarët dhe bizneset.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi në komisionin Parlamentar për Çështjet Europiane se më 13 qershor është dorëzuar zyrtarisht aplikimi për anëtarësim në SEPA dhe pritshmëritë janë që brenda muajit Shtator të miratohet. Me aderimin në SEPA qytetarët dhe bizneset në Shqipëri kursejnë afro 20 milionë euro në vitin e parë.
“Pagesa ndërkufitare në euro më të lira, transfertat përmes SEPA, kosto do te jete minimalisht 5 here me e ulet se aktualisht. 58 % e tregtisë se mallrave kryhet me vendet e BE. Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave janë të mëdha. Kursimi në vitin e parë 20 milionë euro dhe më pas kursimi rritet në mënyrë progresive,” tha Sejko.
Paralelisht bankat tregtare duhet të përshtatin sistemet e tyre në kuadër të përgatitjes për në SEPA.
