Nga Genti Selenica*
Kjo pyetje tingëllon si provokim. Nuk është. Është aritmetikë, dhe përgjigjen e jep vetë struktura e kostos.
Fakti
Në një projekt tipik në Bllok, kostoja e tokës është rreth 1,100 euro për metër katror të shitshëm, pra për çdo metër që i faturohet blerësit. Te ndërtuesit e listuar britanikë, i njëjti tregues është rreth 512 euro. Në Dublin 525. Në Varshavë 510. Në Paris 880.
Që të mos ketë keqkuptim: krahasimi nuk është me Mayfair. Është me inputin mesatar të tokës për ndërtuesit britanikë të volumit, i cili përfshin edhe zonat e Londrës së madhe. Në atë mesatare, Tirana kushton dyfishin në një ekonomi ku PBB-ja për banor është rreth 11,600 euro kundrejt 27,800 në Kroaci dhe 34,000 në Spanjë.
Asimetria e vërtetë
Po e shpreh si %, sepse kështu zhduket çdo justifikim me kursin apo me nivelin e çmimeve.
Te çdo zhvillues i listuar europian me pasqyra publike, Cairn Homes, Glenveagh, Dom Development, Neinor, Kaufman & Broad, toka zë mes 15% dhe 22% të çmimit të shitjes. Në periferi të Tiranës zë 27.5%. Në Bllok zë 37.9%.
Dhe ja detaji që duhet të shqetësojë çdo ndërtues: toka në Bllok kushton 1.5 herë më shumë se ndërtimi (1,100 kundrejt 750 €/m²). Në Irlandë raporti është i përmbysur, ndërtimi kushton 3.7 herë më shumë se toka.
Kjo shpjegon pse sektori ynë nuk industrializohet kurrë. Nëse ul koston e ndërtimit me 10%, fiton 2.6 pikë marzhi. Nëse ul pjesën e pronarit të tokës me 10 pikë, fiton 10 pikë marzhi. Stimujt e çojnë gjithë energjinë e menaxhimit te negociata me pronarin, jo te produktiviteti. Ndërkohë Indeksi i Kushtimit në Ndërtim u rrit vetëm 1.1% vjetor në T1 2026, me materialet bazë në rënie, pra e gjithë rritja 90% e çmimeve në pesë vjet nuk ka ardhur nga kostoja e ndërtimit. Ka shkuar diku tjetër.
Simulimi: po sikur toka të kushtonte 300–400 euro?
Mora projektin e Bllokut dhe ndryshova një variabël: koston e tokës, nga 1,100 në 400 euro/m². Ndërtimin e lashë 750. Taksat dhe lejet 300. Dhe pika kyçe, marzhin e ndërtuesit e lashë të pandryshuar në 26%. Pra ndërtuesi fiton saktësisht të njëjtën përqindje si sot.
Faza 1: shitje në projekt: sot 2,320 €/m² → racional 1,568 €/m² (−32%)
• Faza 2: gjysmë ndërtim: sot 2,668 €/m² → racional 1,803 €/m² (−32%)
• Faza 3: çelësa në dorë: sot 2,900 €/m² → racional 1,960 €/m² (−32%)
Për një apartament 90 m² me çelësa në dorë: nga 261,000 euro në 176,400 euro. Tetëdhjetë e pesë mijë euro diferencë pa prekur asnjë euro nga fitimi i ndërtuesit dhe pa ulur asnjë standard ndërtimi.
Ai fitim nuk zhduket. Ai sot ekziston thjesht nuk shkon te ndërtuesi dhe as te blerësi.
Pse ka rëndësi: numri që askush nuk e thotë
Paga mediane neto në Shqipëri është rreth 650 euro. Një familje me dy paga, brenda kufirit DSTI të Bankës së Shqipërisë, me kredi 25-vjeçare me 5%, ka një buxhet total blerjeje rreth 92 mijë euro. Për 70 m², kjo do të thotë 1,310 €/m². Me paga mesatare, 1,480.
Çmimi mesatar në Tiranë sot është 2,116 €/m². Hendeku është 40%, dhe deri tani është mbushur nga blerësi jorezident (25% e shitjeve), nga diaspora dhe nga paraja informale. Të tria këto burime janë nën presion njëkohësisht.
Por shikoni shifrën e Fazës 1 në skenarin racional për periferinë: 1,360 €/m². Brenda kufirit të përballueshmërisë. Pa asnjë subvencion, pa asnjë skemë sociale. Thjesht duke e çmuar tokën si në rajon.
Për ndërtuesit: kjo nuk është kërkesë për sakrificë
Këtu është pjesa që më duket më e rëndësishme dhe që rrallë diskutohet.
Bëra ekonominë e plotë të dy modeleve. Projekt në Bllok me ndarje vlere: marzh bruto 25.9%, cikël 38 muaj, kapital i nevojshëm 4.0 mln euro, ROE 28.5%. Projekt periferik me tokë të blerë me 300 euro dhe çmim shitjeje 1,500: marzh bruto 31.3%, cikël 22 muaj, kapital 2.6 mln euro, ROE 62.3%.
Fitimi për metër katror është -18% më i ulët. Kthimi mbi kapitalin është më shumë se dyfish. Sepse blerësit e mundshëm shumëfishohen, koha e shitjes bie nga 8–14 muaj në 3–5, dhe kapitali rrotullohet dy herë në vend të një.
Produkti i përballueshëm ka marzh bruto më të lartë se produkti luksoz. Në zonat prime, premiumin e kap pronari i tokës, jo ndërtuesi.
Dhe një test që duhet ta bëjë sot çdo ndërtues
Me tokë në 20% të çmimit, një korrigjim çmimesh prej 30% ende lë marzh bruto pozitiv. Me tokë të blerë me para në 2024–2025 me çmimet e kulmit, i njëjti korrigjim jep −2% në qendër dhe −22% në periferi.
Kufiri prej 300–400 eurosh nuk është objektiv efiçience. Është kusht mbijetese.
Tri pyetjet
1. Pse toka në Tiranë çmohet mbi Varshavën, kur Polonia ka PBB për banor dyfish?
2. Pse ndërtuesi pranon 26% marzh dhe cikël 38-mujor, kur alternativa jep 31% dhe 22 muaj?
3. Kur 37.9% e çmimit shkon te toka, kush po e ndërton qytetin dhe kush po e mbledh vlerën?
Nuk kam interes komercial në ndërtim. Kam interes që qyteti ku ndodhet biznesi im Baboon Delivery të ketë punonjës që mund të jetojnë në të dhe secili të paguaj një shtëpi.
* Genti Selenica është themelues dhe drejtues i Baboon Delivery



