Numri i abonentëve që përdorin internetin në rrjetet fikse shënoi rritje me 2.2% në tre-mujorin e tretë të vitit, krahasuar me tre-mujorin parardhës, duke arritur në 661 mijë. Rritja ishte edhe më e fortë, me 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të këluar.
Kompania One Albania vijon të dominojë tregun e shërbimit të internetit përmes linjave fikse, duke arritur në 154,826 abonentëve në fund të tre-mujorit të tretë, 14.5% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rritje me 3.3% u shënua për këtë kompani edhe krahasuar me tre-mujorin parardhës. Rezulton që në fund të tre-mujorit të tretë, One Albania zotëron rreth 23.4% të tregut të shërbimit të internetit me rrjet fiks.
Dominanca e One Albania mbetet edhe më e fortë sa i përket numrit të linjave të pajtimtarëve të telefonisë fikse, ku kompania zotëron 81.3% të tregut, situatë kjo e trashëguar që nga koha e bashkimit me Albtelecom.
Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të tretë 2024 është raportuar rreth 167 mijë, me një rënie me 0.3% krahasuar me T2 2024 dhe me një rënie me 4.5% në krahasim me T3 2023.
Referuar të dhënave të tjera të publikuara nga AKEP, numri i abonentëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) arriti në rreth 299 mijë në fund të tre-mujorit të tretë, me një rritje prej 0.8% krahasuar me tre-mujorin paraardhës dhe me rënie prej 0.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 23.4% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara, ndërsa 29.8% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 46.8% me paketa “Internet dhe TV”.
45% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse në fund të T3 2024 ishin pajtimtarë me paketa të integruara (Telefoni/Internet/TV), ku 11% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV). /ekofin.al
