Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar dy zv/ministret e Turizmit Vilma Bello dhe Almira Xhembulla. Në vend të tyre janë emëruar Ilva Gjuzi zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Sofjan Jaupaj. Jaupaj mbante më herët detyrën, “Drejtor për Çështjet Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse te Ministria e Turizmit”, ndërsa Gjuzi është zgjedhur nënkryetare e Asamblesë Socialiste.
Gjuzi është një nga prurjet e reja në PS, ndërsa teksa u pyet pak ditë më parë mbi të metat e kryeministrit Rama në një emision televiziv, ajo tha se Edi Rama është 10 hapa para të gjithë të tjerëve.
Ndryshime janë bërë edhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku është larguar nga posti i zv.ministrit të këtij dikasteri Endrit Yzeiraj, i cili është emëruar si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në vend të tij për postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është emëruar Blerta Rama. Ndërkohë, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është emëruar edhe Silda Çepe (Anagnosti).
Dy emërimet e reja në Ministrinë e Jashtme zëvendësojnë Besar Kadinë dhe Artemis Malon të cilët janë emëruar më herët ambasadorë njëri në Azerbajxhan dhe tjetra në Kanada.
