Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur tarifa prej 50% mbi shumicën e mallrave të importuara nga Kanadaja, duke argumentuar se Otava ka diskriminuar prej vitesh produktet amerikane, veçanërisht automjetet, pijet alkoolike dhe produktet e bulmetit.
Vendimi rrezikon të hapë një fazë të re të konfliktit tregtar mes dy partnerëve më të mëdhenj ekonomikë në Amerikën e Veriut, me pasoja të mundshme për inflacionin, zinxhirët e furnizimit dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Sipas një zyrtari të administratës amerikane, Kanadaja është një nga të paktat vende, përveç Kinës, që iu përgjigj me kundërtarifa paketave të mëparshme të Trumpit dhe, për këtë arsye, “duhet të mbajë përgjegjësi”. Presidenti ka firmosur tre shpallje presidenciale, duke u mbështetur në Nenit 338 të Aktit Amerikan të Tregtisë të vitit 1930, një dispozitë e përdorur shumë rrallë, e cila i jep presidentit kompetenca të gjera për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që konsiderohen se diskriminojnë tregtinë amerikane.
Tarifat e reja nuk do të zbatohen për produktet energjetike, potasin, peshkun dhe mineralet kritike, por do të prekin edhe mallra që deri tani përfitonin nga përjashtimet e Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA). Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se tarifat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh, duke lënë hapësirë për negociata mes dy qeverive.
Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se Kanadaja mbetet e përkushtuar ndaj tregtisë së lirë dhe të drejtë dhe është e gatshme të negociojë me administratën Trump për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
“Ky mosmarrëveshje tregtare ka rritur kostot për familjet, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Kanadaja është e gatshme të angazhohet intensivisht për të gjetur një zgjidhje në interes të qytetarëve të të dy vendeve,” u shpreh Carney.
Megjithatë, në Kanada po shtohen thirrjet për një përgjigje të fortë. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, paralajmëroi se nëse tarifat hyjnë në fuqi, Kanadaja duhet të përgjigjet “tarifë për tarifë dhe dollar për dollar”.
Edhe bizneset në të dyja anët e kufirit kërkojnë një marrëveshje. Dhoma Kanadeze e Tregtisë e cilësoi vendimin “për të ardhur keq”, ndërsa Këshilli Amerikan i Pijeve Alkoolike Distiluese u bëri thirrje qeverive të shfrytëzojnë periudhën 30-ditore për të rikthyer aksesin normal në treg dhe për të shmangur dëmtimin e sektorit të mikpritjes.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i një ligji të epokës së Depresionit të Madh krijon një precedent të ri në politikën tregtare amerikane. Sipas Scott Lincicome, zv/president i Institutit Cato, administrata Trump ka zgjedhur “opsionin bërthamor” të politikës tarifore, duke rritur ndjeshëm pasigurinë për ekonominë globale dhe duke krijuar mundësinë që masa të ngjashme të zbatohen edhe ndaj partnerëve të tjerë tregtarë të SHBA-së.
Vendimi mbart edhe kosto politike për Trump. Tarifat janë taksa mbi importet dhe zakonisht përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët, pasi kompanitë i transferojnë kostot te blerësit. Edhe pse presidenti argumenton se tarifat do të nxisin rikthimin e prodhimit industrial në SHBA, ekonomistët theksojnë se deri tani të dhënat nuk e mbështesin këtë pretendim.
Demokratët kanë paralajmëruar se masat e reja do të rrisin kostot për familjet amerikane dhe mund të provokojnë kundërmasa që do të dëmtojnë pikërisht sektorët që administrata synon të mbrojë. Tarifat vijnë në një kohë kur inflacioni në SHBA mbetet nën presion, ndërsa çmimet e energjisë janë rritur edhe për shkak të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Në shpalljet presidenciale, Trump akuzon Kanadanë se favorizon prodhuesit europianë në tregun e bulmetit, mban tarifa 25% për automjetet amerikane që nuk përfitojnë nga marrëveshja USMCA dhe kufizon shitjen e pijeve alkoolike amerikane në shumicën e provincave. Nga ana tjetër, autoritetet kanadeze argumentojnë se këto masa ishin përgjigje ndaj tarifave të mëparshme të vendosura nga administrata Trump.
Përplasja tregtare mes dy vendeve pritet të dominojë javët e ardhshme, ndërsa afati 30-ditor për negociata do të tregojë nëse SHBA-ja dhe Kanadaja do të arrijnë një kompromis ose do të hyjnë në një fazë të re të luftës tregtare me pasoja më të gjera për ekonominë e Amerikës së Veriut dhe tregtinë globale./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

