Shkollat po mbyllen, konsumimi i alkoolit po ndalohet dhe shërbimet hekurudhore po anulohen, ndërsa vala gjithnjë e më intensive e të nxehtit po e vë jetën e përditshme në ngërç.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C në disa pjesë të Spanjës, ku vala e parë zyrtare e të nxehtit për vitin 2026 nisi të dielën, me paralajmërime meteorologjike të kuqe dhe portokalli në mbarë vendin.
Më shumë se gjysma e Francës është gjithashtu në alarm të kuq, ndërsa vendi po përjeton episodin e dytë të motit ekstrem këtë vit. Gjatë fundjavës janë regjistruar edhe viktima të lidhura me temperaturat e larta. Edhe Mbretëria e Bashkuar është nën paralajmërim serioz për temperatura të larta, me vlera që mund të arrijnë deri në 38°C në jug të vendit. Gjermania, Italia, Portugalia dhe Zvicra janë ndër vendet e tjera që po përballen me vapë ekstreme.
“Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor kanë krijuar kushtet për këtë ngjarje, duke ngarkuar atmosferën me më shumë nxehtësi dhe duke i bërë temperaturat ekstreme shumë më intensive sesa do të kishin qenë në të kaluarën”, tha Akshay Deoras, studiues i lartë në Qendrën Kombëtare për Shkencën Atmosferike pranë Universitetit të Readingut në Mbretërinë e Bashkuar, për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Më shumë se 62 mijë persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin në mbarë Evropën gjatë vitit 2024 – viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në kontinent. Ekspertët paralajmërojnë se ky numër do të rritet ndërsa temperaturat vazhdojnë të ngjiten.
Të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me probleme shëndetësore ekzistuese janë më të rrezikuarit, së bashku me qindra mijëra punëtorë sezonalë që punojnë në ambiente të hapura, shumica e të cilëve janë emigrantë.
Franca mbyll shkollat ndërsa vala e të nxehtit përhapet
Në Francë, autoritetet kanë mbyllur 845 shkolla të hënën (22 qershor), ndërsa rreth 1.800 të tjera do t’i lejojnë nxënësit të largohen më herët nga mësimi, sipas AFP-së.
Kjo ndodh vetëm një javë pasi ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, propozoi zhvendosjen e orareve të provimeve në mënyrë që ato të mos zhvillohen gjatë orëve më të nxehta të ditës, për shkak të valëve të të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të hershme dhe më intensive.
Që atëherë, autoritetet rajonale në Île-de-France kanë njoftuar një fond prej 1 milion eurosh për 500 qendra provimesh, me qëllim blerjen e pajisjeve ftohëse si ventilatorë dhe sisteme spërkatëse me ujë.
Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë njoftuar ende mbyllje masive shkollash, disa institucione arsimore kanë lehtësuar rregullat për uniformat dhe po kryejnë vlerësime të rrezikut për të mbrojtur nxënësit dhe mësuesit.
Kufizime në transportin hekurudhor në Francë dhe Belgjikë
Udhëtarët në Paris dhe Belgjikë po përballen me reduktime të shërbimeve hekurudhore në fillim të javës për të shmangur defektet që mund të bllokojnë linjat.
Deformimi i shinave, zjarret në argjinatura dhe varja e linjave elektrike janë ndër rreziqet që po kërcënojnë rrjetet hekurudhore për shkak të temperaturave të larta.
Në rajonin e Île-de-France, ku një në dhjetë trena u anulua të hënën për të mbrojtur infrastrukturën hekurudhore nga mbinxehja, presidentja rajonale Valérie Pécresse këshilloi qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të punojnë nga shtëpia.
Disa operatorë hekurudhorë në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndryshuar gjithashtu oraret e tyre, me më pak trena dhe kohë më të gjata udhëtimi gjatë periudhave më të nxehta të ditës. Arsyeja është se temperaturat ekstreme bëjnë që shinat të zgjerohen dhe të deformohen, duke detyruar trenat të lëvizin më ngadalë për arsye sigurie.
Paralajmërime për notin dhe ndalimi i alkoolit
Festivali vjetor i muzikës në rrugë, Fête de la Musique, u zhvillua gjatë fundjavës pavarësisht vapës, por qeveria franceze ndaloi konsumimin e alkoolit në vende publike në zonat nën alarm të kuq për të ulur rrezikun e dehidratimit. Disa aktivitete u anuluan ose u zhvendosën në ambiente të mbyllura.
Në Paris, shumë pjesëmarrës kërkuan freski në Canal Saint-Martin, i cili u hap për notarët më 17 qershor. Megjithatë, autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë larjes në lumenj dhe liqene, pasi si Franca ashtu edhe Gjermania raportuan një rritje të rasteve të mbytjeve gjatë fundjavës.
Notarëve u rekomandohet të qëndrojnë në zona të mbikëqyrura nga rojtarë plazhi, të shmangin hedhjet në lumenj me rrjedhë të fortë dhe të futen gradualisht në ujë për të shmangur shokun termik nga ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës.
Zjarret në pyje detyrojnë evakuime në Francë
Temperaturat e larta po rrisin gjithashtu rrezikun e zjarreve dhe thatësirës në vendet e prekura, veçanërisht pasi toka mbetet e tharë nga vala e të nxehtit e muajit maj. Kjo bën që temperatura në sipërfaqe të rritet më shpejt dhe krijon sasi të mëdha vegjetacioni të tharë që ushqen flakët.
Në Francë, kërcënimi tashmë është bërë realitet. Një zjarr në departamentin Cher, i cili ndodhet nën alarm të kuq që prej së dielës, dogji 25 hektarë kultura bujqësore dhe detyroi rreth 50 persona të evakuohen, sipas AFP-së. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

