Bashkimi Evropian do të propozojë legjislacion të ri për reformimin e sektorit bankar, me synim eliminimin e barrierave financiare brenda bllokut dhe uljen e varësisë nga bankat e huaja për nevoja jetike financimi, sipas një draft-raporti të Komisionit Evropian, të siguruar nga Euronews.
Raporti, i cili pritet të paraqitet më 15 korrik, hedh bazat për reforma më të gjera të sektorit bankar që pritet të ndërmerren në vitin 2027.
“Tregu bankar i Bashkimit Evropian mbetet i fragmentuar dhe është bërë tepër kompleks në disa fusha”, thuhet në raport, duke saktësuar se kjo situatë bën që “familjet dhe bizneset të paguajnë më shumë për kredi sesa duhet”.
Veprimtaria bankare ndërkufitare brenda Bashkimit Evropian mbetet më e kufizuar sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht dekadave të përpjekjeve për integrimin e tregut.
Reformat vijnë në një kohë kur Evropa përballet me nevoja gjithnjë e më të mëdha për investime. Një studim i qershorit nga kompania konsulente Oliver Wyman, i kryer për Federatën Evropiane të Bankave, vlerësoi se blloku ka nevojë për 1.4 trilionë euro investime shtesë në vit, krahasuar me 800 miliardë eurot e identifikuara në raportin e konkurrueshmërisë të vitit 2024 nga ish-kryeministri italian Mario Draghi.
Sipas draft-raportit të Komisionit Evropian, nëse bankat bëhen më efikase, ato mund të financojnë më mirë edhe sektorët kritikë.
Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e zvogëlimit të varësisë së bllokut nga bankat me seli jashtë Bashkimit Evropian. Në të thuhet se “sektori bankar i Bashkimit Evropian mund të ndihmojë në financimin e ekonomisë së BE-së, përfshirë përparësitë e saj strategjike, si mbrojtja dhe tranzicioni digjital e ai i gjelbër”.
Dokumenti përmend tri objektiva kryesore për ta bërë sektorin bankar më konkurrues: përfundimin e tregut të vetëm bankar, miratimin e standardeve ndërkombëtare për industrinë bankare të Bashkimit Evropian dhe thjeshtimin e disa aspekteve “tepër të ndërlikuara dhe burokratike” të sektorit.
Raporti përfshin propozime për lehtësimin e operacioneve bankare ndërkufitare, përfshirë lëvizjen e kapitalit dhe të likuiditetit mes shteteve anëtare, si dhe menaxhimin e falimentimit të bankave.
Paralelisht me reformimin dhe integrimin e mëtejshëm të sektorit bankar, dokumenti thekson se çdo reformë duhet të shoqërohet me integrim më të thellë të tregjeve evropiane të kapitalit.
Negociatat për reformën e tregjeve të kapitalit janë ende në zhvillim në Bruksel, ndërsa Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje deri në fund të vitit. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

