Shqipëria ka siguruar një marrëveshje me kompaninë italiane të hidrokarbureve, Eni S.p.A që synon në thelb krijimin e një operatori të përbashkët për naftën dhe gazin, si edhe sigurimin e rezervave strategjike shtetërore të naftës.
Qeveria nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me kompaninë italiane Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.
“Në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator dinamik, i cili të luajë në njëfarë mënyre rolin e rregullatorit të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët,” u shpreh Kryeministri Rama.
“Bashkëpunimi me Eni-n, që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht edhe një fuqi e madhe që ka prezencën e vet në Shqipëri qysh prej vitit 2019, lindi nga diskutimet për një bashkëpunim strategjik në krijimin e këtij operatori të ri, i cili do të marrë përsipër garantimin e rezervës strategjike të naftës.
Përmes këtij partneriteti, Shqipëria nuk do të ketë asnjë dilemë për çfarëdo krize që mund të paraqitet në aspektin e rezervës strategjike.
Kemi nisur një proces dialogu, që na ka sjellë sot në formësimin e këtij hapi të parë dhe në zyrtarizimin e procesit të krijimit të kompanisë.
Kompania, siç e tha edhe administratori i Eni-t, është një risi, por nga ana tjetër, duke pasur parasysh se kemi nga njëra anë bazën shumë solide të vetë Eni-t dhe nga ana tjetër dijen e ekipit drejtues të Eni-t, ajo ka mundësi të bëhet një model i ri për qasjen ndaj tregut jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.
Ajo mund të jetë një tjetër kompani në vazhdën e atyre kompanive që ne po krijojmë me pjesëmarrjen e shtetit shqiptar”, tha Rama. /ekofin.al

