Shoqata Italiane për Patologjitë e Varësisë (SIPaD) ka publikuar një Position Statement zyrtar mbi reduktimin e riskut në çrregullimin nga përdorimi i duhanit, duke njohur për herë të parë në Itali rëndësinë klinike të strategjive me risk të reduktuar për duhanpirësit adultë që nuk arrijnë të heqin dorë nga cigaret tradicionale.
Dokumenti, i titulluar “Risk reduction in Tobacco Use Disorder (TUD): Critical analysis of the available evidence”, analizon evidencat shkencore mbi produktet pa djegie, si cigaret elektronike dhe produktet me ngrohje të duhanit (HTPs), duke i konsideruar ato si një alternativë të ndërmjetme për rastet kur abstinenca e plotë nuk është menjëherë e arritshme.
Fokus tek pacientët që nuk arrijnë të lënë duhanin
Sipas SIPaD, duhanpirja mbetet një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së parandalueshme, me pasoja veçanërisht të rënda tek personat me çrregullime të varësisë dhe pacientët me probleme të shëndetit mendor. Në këto kategori, tentativa për të lënë duhanin shpesh dështojnë, ndërsa konsumi i vazhdueshëm i cigareve ndikon ndjeshëm në uljen e jetëgjatësisë dhe përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Në deklaratën për mediat, presidenti i SIPaD, Claudio Leonardi, thekson se reduktimi i riskut është një qasje tashmë e konsoliduar në trajtimin e varësive dhe se ajo mund të aplikohet edhe në rastet e duhanpirjes, kur ndërprerja e menjëhershme e konsumit rezulton e vështirë.
“Objektivi final mbetet gjithmonë lënia e duhanit, por nuk mund të injorohen pacientët që duan të heqin dorë dhe nuk ia dalin”, thekson ai.
Çfarë thonë evidencat shkencore
Dokumenti përmbledh një seri studimesh toksikologjike dhe klinike mbi produktet pa djegie. Sipas SIPaD, produktet me ngrohje të duhanit funksionojnë duke ngrohur duhanin pa proces djegieje, çka redukton ndjeshëm krijimin e substancave toksike që gjenden në tymin e cigareve tradicionale.
Shoqata citon prova sipas të cilave aerosoli i prodhuar nga HTP-të përmban 92–97% më pak substanca toksike dhe potencialisht të dëmshme krahasuar me tymin e cigareve, si edhe një numër shumë më të ulët përbërësish kimikë.
Në studimet klinike, duhanpirësit që kaluan plotësisht tek alternativat pa djegie treguan ulje të ndjeshme të biomarkerëve të ekspozimit ndaj substancave toksike, përfshirë monoksidin e karbonit, nitrozaminat dhe komponimet organike volatile. Përmirësime u vunë re edhe në tregues të stresit oksidativ dhe inflamacionit.
SIPaD thekson gjithashtu se disa studime kanë evidentuar përmirësime në parametrat respiratorë dhe kardiovaskularë tek pacientët që zëvendësuan plotësisht cigaret me produkte pa djegie, përfshirë persona me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD).
“Jo pa risk” dhe jo për të rinjtë
Megjithatë, dokumenti nënvizon qartë se produktet alternative nuk janë pa risk, nuk konsiderohen medikamente dhe nuk duhet të promovohen tek jo-duhanpirësit apo të rinjtë.
SIPaD kërkon që çdo komunikim publik mbi këto produkte të jetë i kujdesshëm, i balancuar dhe pa karakter promovues, duke shmangur çdo normalizim të përdorimit të nikotinës.
Shoqata thekson se strategjitë me risk të reduktuar duhet të konsiderohen të përkohshme, të monitoruara dhe pjesë e një rruge terapeutike të strukturuar që synon, në fund, ndërprerjen e plotë të konsumit të duhanit.
Një debat që po fiton terren në Europë
Publikimi i kësaj deklarate vjen në një moment kur debati mbi reduktimin e dëmit nga duhani po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në Europë dhe në komunitetin ndërkombëtar të shëndetit publik.
Ndërsa organizatat shëndetësore vijojnë të theksojnë se alternativa më e mirë mbetet mosnisja ose lënia e plotë e duhanit, një pjesë e ekspertëve argumentojnë se për duhanpirësit adultë që nuk arrijnë të heqin dorë nga cigaret, strategjitë me risk të reduktuar mund të përfaqësojnë një opsion pragmatik për uljen e dëmit dhe të ekspozimit ndaj substancave toksike.

