Trump Media & Technology Group (TMTG), kompania mediatike e presidentit amerikan Donald Trump, ka njoftuar se do të lançojë një shërbim me pagesë që do t’u japë institucioneve financiare dhe kompanive të tregtimit algoritmik akses pothuajse të menjëhershëm në postimet më me ndikim të platformës Truth Social.
Shërbimi i ri, i quajtur Truth API, synon të transmetojë postimet në vetëm disa milisekonda, duke u mundësuar investitorëve profesionistë dhe algoritmeve të tregtimit të reagojnë shumë më shpejt ndaj informacionit që mund të ndikojë në tregjet financiare.
Megjithëse kompania nuk ka konfirmuar nëse postimet e vetë Donald Trump do të përfshihen në këtë shërbim, ajo pranon se bëhet fjalë për postimet “me ndikimin më të madh në treg” dhe thekson se tregjet financiare tashmë reagojnë ndaj publikimeve në Truth Social.
Trump është përdoruesi më i njohur i platformës dhe aksioneri më i madh i kompanisë së listuar në bursë që e zotëron atë. Prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Truth Social është bërë kanali i tij kryesor për njoftime politike, ekonomike dhe tregtare, të cilat shpesh kanë ndikuar në lëvizjet e bursave dhe të aseteve financiare.
Njoftimi ka ngritur edhe pyetje të reja mbi konfliktin e mundshëm të interesit, pasi kritikët argumentojnë se ofrimi i një shërbimi me pagesë për akses ultra të shpejtë në deklaratat e presidentit mund të interpretohet si një mënyrë për të përfituar financiarisht nga ndikimi i presidencës.
Nga ana tjetër, TMTG thekson se abonentët nuk do t’i marrin postimet përpara se ato të publikohen publikisht, por do t’i marrin menjëherë sapo ato të shfaqen në platformë, pa pasur nevojë për monitorim manual.
Shërbimi është projektuar kryesisht për fondet e investimeve, bankat, kompanitë e tregtimit me frekuencë të lartë (high-frequency trading) dhe operatorët e tregtimit algoritmik, të cilët mbështeten në marrjen sa më të shpejtë të informacionit që mund të ndikojë në çmimet e aksioneve, obligacioneve apo normave të interesit.
Teknologjia bazohet në një Application Programming Interface (API), një ndërfaqe që lejon komunikimin automatik mes programeve kompjuterike dhe u mundëson sistemeve të analizojnë e të përpunojnë informacionin në kohë reale. Platforma të tjera të mëdha të rrjeteve sociale, si X (ish-Twitter), ofrojnë shërbime të ngjashme për përdoruesit institucionalë.
Sipas kompanisë, Truth API pritet të hyjë në funksion më 1 gusht 2026. TMTG bën të ditur se disa klientë institucionalë janë regjistruar tashmë përpara lançimit zyrtar, ndërsa shërbimi do të funksionojë 24 orë në ditë dhe do të përfshijë edhe një arkiv me postimet e publikuara në Truth Social që prej vitit 2022./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

