Emiratet e Bashkuara Arabe po garojnë për të fituar terren në industrinë e inteligjencës artificiale, me synimin, ndër të tjera, për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile. Në prill, Microsoft njoftoi një investim prej 1.5 miliardë dollarësh në grupin teknologjik G42, i cili është i bazuar në Abu Dhabi dhe drejtohet nga një anëtar i familjes mbretërore. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Emiratet e Bashkuara Arabe hynë në “radarin” e SHBA-së, e cila është e interesuar të kufizojë ndikimin e Pekinit në Lindjen e Mesme dhe të ruajë dominimin e tij në inteligjencën artificiale.
Si prodhuesi më i madh në botë i lëndëve djegëse fosile, Abu Dhabi i sheh përparimet e tij në inteligjencën artificiale si jetike për të hequr qafe naftën. Inteligjenca artificiale mund të kontribuojë me 96 miliardë dollarë në ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe deri në vitin 2030, ose gati 14% të PBB-së, sipas një raporti të PwC.
Në këtë kontekst, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hartuar një strategji kombëtare që synon depërtimin e IA në sektorët prioritarë, si energjia dhe logjistika. Vendi po trajnon nëpunësit civilë në inteligjencën artificiale dhe synon t’u mësojë një milion qytetarëve mënyra më efikase për të minuar dhe analizuar të dhënat përmes IA. Në shtator, veçanërisht, vendi i Gjirit kishte 120.000 njerëz që punonin në IA ose industri të ngjashme, nga 30.000 dy vjet më parë.
