Trip.com ka renditur atraksionet më të mira evropiane për familjet për vitin 2027, me Disneyland Paris në vendin e parë, ndërsa destinacionet turistike të Londrës dominojnë dhjetëshen e parë.
Të argëtosh të gjithë familjen gjatë pushimeve nuk është një detyrë e lehtë. Fatmirësisht, në Europë nuk mungojnë atraksionet turistike që u përshtaten udhëtarëve të të gjitha moshave.
Për familjet që kanë nisur të planifikojnë udhëtimet për vitin e ardhshëm, Trip.com ka hartuar renditjen e 50 atraksioneve më të mira europiane për familjet për vitin 2027, bazuar në “vlerësimet autentike të klientëve, popullaritetin e shitjeve gjatë gjithë vitit, garantimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe temat e veçanta”.
Atraksionet më të mira janë përzgjedhur në bazë të popullaritetit në kërkimet online, rëndësisë tematike, kohëzgjatjes së pranisë në renditje dhe pozicionit të tyre. Si atraksione të përshtatshme për familjet konsiderohen ato që ofrojnë ambiente dhe shërbime që garantojnë një përvojë të sigurt, argëtuese dhe edukative.
Disneyland Paris, i cili ka marrë një vlerësim prej 4,7 nga 5 pikë, bazuar në 4.177 komente, është shpallur atraksioni më i mirë për familjet për vitin 2027.
I pranishëm për katër vite radhazi në renditjet vjetore të platformës, Disneyland Paris u ofron familjeve një destinacion pushimi me parada dhe shfaqje për fëmijët, si dhe shërbime për prindërit brenda parqeve dhe hoteleve të tij.
Destinacionet e Mbretërisë së Bashkuar dominojnë listën, duke zënë gjysmën e vendeve në dhjetëshen e parë, përfshirë rrotën panoramike ikonike London Eye dhe Warner Bros. Studio Tour London, në periferi të kryeqytetit.
Në Holandë, fshati ujor Giethoorn renditet në vendin e pestë dhe u ofron familjeve një destinacion të qetë, të njohur për kanalet historike, rrugët e ngushta ujore dhe mungesën e automjeteve. Vizitorët mund të udhëtojnë me kajak, të bëjnë një shëtitje turistike nëpër kanale ose të marrin me qira një varkë të vogël elektrike, të përshtatshme për lundrim.
Në vendin e shtatë renditet City Park në Budapest të Hungarisë, një hapësirë e gjelbër që strehon shumë lloje bimësh dhe kafshësh. Këndi kryesor i lojërave, me një sipërfaqe prej 13.000 metrash katrorë, u ofron fëmijëve hapësirë të bollshme për t’u argëtuar.
Parku Pena në Sintra të Portugalisë përfshihet për herë të parë në renditjet vjetore të Trip.com. Ai renditet në vendin e nëntë dhe karakterizohet nga shtigje gjarpëruese në formë labirinti, që përshkojnë pyllin e dendur përpara se të mbërrijnë në Pallatin Kombëtar Pena.
Dhjetëshen e parë e mbyll Parku Kalemegdan në Beograd të Serbisë. Ky monument kulturor shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 60 hektarësh dhe përfshin zona arkeologjike me interes për të apasionuarit pas historisë.
Atraksionet më të mira europiane për familjet në vitin 2027
- Disneyland Paris, Chessy, Francë
- London Eye, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- Warner Bros. Studio Tour London, Watford, Mbretëria e Bashkuar
- Observatori Mbretëror i Greenwich-it, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- Giethoorn, Holandë
- Muzeu i Historisë Natyrore, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- City Park, Budapest, Hungari
- Kopshtet Botanike Mbretërore Kew, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- Parku Pena, Sintra, Portugali
- Kalemegdan, Beograd, Serbi
- Universiteti i Kembrixhit, Mbretëria e Bashkuar
- Shfaqja muzikore “The Lion King”, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- Siam Park, Costa Adeje, Spanjë
- Tivoli Gardens, Kopenhagë, Danimarkë
- Fshati i Babagjyshit të Krishtlindjeve, Rovaniemi, Finlandë
Tri atraksionet më të mira për familjet
Disneyland Paris
Në krye të listës së destinacioneve që familjet duhet të vizitojnë në vitin 2027 qëndron një kompleks turistik ku vizitorët, të vegjël dhe të rritur, mund të takojnë princeshat e Disney-t dhe të bashkohen me superheronjtë e Marvel-it.
“Magjia” është e ndarë në dy parqe: Disneyland Park dhe Disney Adventure World.
Disneyland Park strehon Kështjellën ikonike të Bukuroshes së Fjetur dhe pesë zona tematike që familjet mund të eksplorojnë. Gjatë vizitës në park, takimet me personazhe si Mickey Mouse dhe miqtë e tij janë të zakonshme.
Ndërkohë, Disney Adventure World përfshin zona të frymëzuara nga filmi muzikor familjar “Frozen”, si dhe filmat e Marvel dhe Pixar. Përveç atraksioneve tematike, vizitorët mund të ndjekin shfaqje dhe të takojnë personazhe të ndryshme.
Trip.com rekomandon një vizitë prej një deri në dy ditësh. Çmimi i një bilete njëditore për një datë të përcaktuar në janar 2027 nis nga 87 euro, ndërsa fëmijët nën moshën tre vjeç mund të hyjnë falas.
London Eye
Në anën tjetër të Kanalit të La Manshit, London Eye ngrihet 135 metra mbi kryeqytetin britanik.
E ndërtuar në vitin 2000 për të kremtuar mijëvjeçarin e ri, kjo rrotë panoramike ndodhet në bregun jugor të lumit Tamiz dhe një rrotullim i plotë zgjat rreth 30 minuta.
Nga kjo lartësi, vizitorët mund të shohin monumente ikonike, përfshirë Kullën Elizabeth, ku ndodhet Big Ben, Katedralen e Shën Palit, godinat e Parlamentit dhe Pallatin Buckingham.
Në ditët me mot të kthjellët, nga pika më e lartë e London Eye mund të shihet edhe Kështjella Windsor, rreth 40 kilometra larg.
Për të shijuar pamjen panoramike, çmimi i biletës së blerë online për të rriturit dhe fëmijët është 29 paund (34,52 euro), ndërsa hyrja për foshnjat është falas.
Warner Bros. Studio Tour London
Për të apasionuarit pas turizmit në vendet ku janë xhiruar filma, treshen e parë e plotëson Warner Bros. Studio Tour London.
Ky atraksion familjar ndodhet pranë studios aktive ku janë realizuar të tetë filmat e sagës “Harry Potter”.
Vizitorët mund të eksplorojnë dy studio xhirimi dhe një hapësirë të jashtme me skenografi origjinale, krijesa të animuara mekanikisht dhe kostume, përfshirë uniformat e lojës Quidditch.
Përvoja tematike vijon edhe në ambientet e restorantit The Hogwarts Table, ku menuja është frymëzuar nga personazhet dhe vendet e njohura të filmave.
Vizitorët mund të ndalojnë gjithashtu në Dragon Roasted Café, ku kafeja përgatitet “nën vështrimin vigjilent të dragoit Ukrainian Ironbelly”.
Çmimet e biletave për vitin 2027 do të nisin nga 61 paund (72,69 euro), ndërsa fëmijët nën moshën katër vjeç mund të hyjnë falas./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

