Bizneseve që ofrojnë shërbime, ku gabimet profesionale mund të shkaktojnë dëme të rënda fizike apo humbje të konsiderueshme financiare për klientët, mund t’u kërkohet sigurim i përgjegjësisë profesionale ose garanci financiare. Megjithatë, autoritetet nuk do të mund ta vendosin automatikisht këtë detyrim për një sektor apo profesion të tërë, pa argumentuar rrezikun që paraqet veprimtaria konkrete.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përmes udhëzimit nr. 11, datë 18 nëntor 2026, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përcakton kriteret për klasifikimin e veprimtarive me rrezik të posaçëm, kushtet minimale të mbulimit nga sigurimet dhe rregullat për njohjen e garancive financiare.
Udhëzimi synon të balancojë mbrojtjen e konsumatorëve me kostot që u ngarkohen bizneseve.
Kur mund të kërkohet sigurimi profesional?
Me rrezik të posaçëm konsiderohen veprimtaritë ku gabimi, veprimi ose mosveprimi profesional i ofruesit të shërbimit mund të shkaktojë drejtpërdrejt vdekjen ose dëmtimin e rëndë fizik të klientit apo të një pale të tretë, humbje të konsiderueshme monetare ose ulje të vlerës së pasurisë së klientit.
Megjithatë, ekzistenca e këtij rreziku nuk mjafton për vendosjen e detyrimit për sigurim. Autoritetet duhet të argumentojnë se rreziku buron nga vetë natyra e shërbimit dhe nuk përbën thjesht një rrezik të zakonshëm tregtar apo kontraktor.
Sigurimi ose garancia financiare mund të kërkohet vetëm në rastet kur informimi i konsumatorëve, kërkesat profesionale, mbikëqyrja dhe kontrollet nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme.
Vlerësimi duhet të kryhet për veprimtarinë konkrete ose për nënkategorinë e veprimtarive që paraqesin rrezik, duke shmangur vendosjen e detyrimeve të përgjithshme për të gjithë operatorët e një sektori.
Bizneset nuk do të paguajnë dy herë për mbulimin e të njëjtit rrezik
Udhëzimi parashikon për bizneset shmangien e mbivendosjes së sigurimeve të detyrueshme.
Më konkretisht një kërkesë për sigurim apo garanci nuk mund të vendoset ose të mbahet në fuqi nëse i njëjti rrezik dhe e njëjta përgjegjësi mbulohen në mënyrë të mjaftueshme nga një detyrim tjetër ekzistues.
Në rastet kur sigurimet mbulojnë rreziqe të ndryshme, autoritetet duhet të përcaktojnë qartë kufirin ndërmjet tyre.
Kostoja e sigurimit në treg, kriter për përcaktimin e mbulimit
Udhëzimi nuk përcakton një shumë fikse minimale sigurimi për bizneset. Niveli i mbulimit do të varet nga natyra e aktivitetit, numri i personave të ekspozuar ndaj rrezikut, vlera e pasurisë ose e mjeteve financiare që mund të preken, si dhe shpeshtësia dhe vlera e dëmeve të dokumentuara në veprimtarinë përkatëse.
Në përcaktimin e shumës minimale duhet të merret parasysh edhe kapaciteti i tregut të sigurimeve, disponueshmëria e produkteve dhe kostoja e tyre.
Për veprimtaritë që paraqesin nivele të ndryshme rreziku do të përcaktohen edhe nivele të diferencuara mbulimi.
Legjislacioni sektorial ekzistues që parashikon detyrime për sigurim ose garanci do t’i nënshtrohet shqyrtimit sipas procedurave të përcaktuara në ligjin bazë dhe aktet zbatuese./ekofin.al

