Qeveria ka miratuar ndryshimet në rregulloren për klasifikimin e strukturave akomoduese, duke përfshirë për herë të parë në sistemin e klasifikimit me yje kategorinë “Apart-hotel”. Bizneset që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti turistik do të klasifikohen në katër nivele, nga 2 deri në 5 yje, ndërsa për verifikimin e përmbushjes së standardeve do të paguajnë një tarifë prej 1.200 lekësh për dhomë, me një minimum prej 4.500 lekësh dhe maksimum prej 100.000 lekësh për strukturë.
Ndryshimet në vendimin nr. 730, datë 20 tetor 2016, plotësojnë kuadrin rregullator për këtë kategori akomodimi, pas miratimit të vendimit nr. 842, datë 5 nëntor 2026, për përcaktimin e kategorive të strukturave akomoduese. Apart-hotelet do të kenë tashmë një tabelë të posaçme kriteresh dhe standardesh, të ndryshme nga ajo e hoteleve tradicionale.
Sa do të paguajnë bizneset për klasifikimin?
Tarifat e verifikimit në terren për apart-hotelet do të jenë të njëjta me ato që zbatohen aktualisht për hotelet tradicionale. Kostoja do të llogaritet në bazë të numrit të dhomave, duke respektuar kufijtë minimalë dhe maksimalë të përcaktuar në rregullore.
Përveç kostos së verifikimit në terren, sipas rregullores ekzistuese, sipërmarrësit paguajnë edhe tarifën prej 100 lekësh për aplikimin për klasifikim, riklasifikim ose rinovim të vlerësimit të strukturës akomoduese dhe lëshimin e certifikatës.
Ndryshimet nuk prekin tarifat e kategorive të tjera të strukturave akomoduese, por shtojnë apart-hotelet në tabelën ekzistuese të kostove të verifikimit.

Certifikata me vlefshmëri katërvjeçare
Për apart-hotelet do të zbatohen procedurat e përgjithshme të klasifikimit të strukturave akomoduese, të përcaktuara në rregulloren ekzistuese, të cilat nuk ndryshojnë me vendimin e ri.
Sipërmarrësit turistikë duhet të paraqesin aplikimin për pajisjen me certifikatë klasifikimi nëpërmjet portalit e-Albania. Gjatë zhvillimit të procedurës së klasifikimit, bizneset mund të vijojnë ushtrimin e aktivitetit akomodues.
Procesi i verifikimit të përmbushjes së kritereve përfshin një ose më shumë vizita në ambientet e strukturës akomoduese. Bizneset kanë të drejtë të kundërshtojnë rezultatet e verifikimit brenda pesë ditëve nga ngarkimi i formularit përkatës në sistem.
Certifikata e klasifikimit ka vlefshmëri katërvjeçare, me të drejtë rinovimi. Aplikimi për rinovim duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 ditë përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë.
Sipërmarrjet që investojnë në përmirësimin e standardeve dhe synojnë të kalojnë në një kategori më të lartë klasifikimi mund të aplikojnë për riklasifikim, por jo më herët se 12 muaj nga data e lëshimit të certifikatës.
Klasifikimi me yje edhe në materialet promocionale
Përfshirja e apart-hoteleve në sistemin e klasifikimit sjell edhe zbatimin e detyrimeve që lidhen me reklamimin e strukturave akomoduese.
Sipas rregullores, bizneset duhet të përdorin në materialet promocionale, reklamat dhe komunikimet tregtare kategorinë dhe nivelin e klasifikimit në përputhje me certifikatën e përfituar.
Certifikata duhet të afishohet në recepsionin e strukturës, ndërsa shenja dalluese e klasifikimit sipas cilësisë duhet të vendoset në hyrjen kryesore.
Sipërmarrësit duhet të njoftojnë gjithashtu, nëpërmjet portalit e-Albania, brenda shtatë ditëve, çdo ndryshim të të dhënave të paraqitura për marrjen e certifikatës ose ndryshim që mund të ndikojë në nivelin e klasifikimit.
Standarde të posaçme për apart-hotelet
Vendimi shton në rregullore aneksin nr. 1/I, me tabelën e posaçme të klasifikimit për apart-hotelet, mbi bazën e së cilës do të vlerësohet përmbushja e standardeve për secilin nivel, nga 2 deri në 5 yje.
Për bizneset ekzistuese dhe investitorët që planifikojnë zhvillimin e strukturave të këtij lloji, kriteret teknike të aneksit do të jenë përcaktuese për investimet e nevojshme në infrastrukturë, pajisje dhe shërbime, në varësi të nivelit të klasifikimit që synojnë të përfitojnë./ekofin.al

