Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen dhe funksionimin e sistemit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, përmes të cilit do të koordinohet ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sistemi do të funksionojë 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, në gjuhën shqipe dhe angleze, duke mundësuar identifikimin automatik të vendndodhjes së telefonuesit, si dhe komunikimin me SMS apo video, kur kjo është teknikisht e mundur.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të jetë institucioni përgjegjës për administrimin, koordinimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit, ndërsa financimi për ngritjen e tij sigurohet në kuadër të mbështetjes së qeverisë italiane për sistemin e mbrojtjes civile në Shqipëri.
Lokalizimi automatik i qytetarëve në emergjencë
Një nga elementet teknologjike të sistemit është mundësia e identifikimit të vendndodhjes së personit që kërkon ndihmë, nëpërmjet teknologjisë AML (Advanced Mobile Location), e cila gjeneron të dhëna mbi pozicionin gjeografik nga telefonat inteligjentë me sistem operativ Android dhe iOS.
Për thirrjet nga rrjetet e telefonisë fikse, sistemi do të sigurojë informacionin për adresën fizike të pikës fundore të rrjetit.
Identifikimi i vendndodhjes mund të ndihmojë strukturat e emergjencës edhe në rastet kur qytetarët nuk janë në gjendje të përcaktojnë adresën e saktë apo ndodhen në zona të panjohura.
Sistemi parashikon gjithashtu komunikimin nëpërmjet SMS-ve, mesazheve me tekst dhe videos, kur është teknikisht e mundur, duke krijuar mundësi alternative për kërkimin e ndihmës nga personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose në të folur.
Si do të funksionojë shërbimi i emergjencave
Numri 112 do të operojë si një shërbim i centralizuar, i projektuar për të garantuar funksionimin e pandërprerë edhe në rastet e problemeve teknike apo fatkeqësive natyrore.
Pranë sistemit do të funksionojë një strukturë qendrore për marrjen, vlerësimin, klasifikimin dhe shpërndarjen e thirrjeve emergjente, e njohur ndërkombëtarisht si PSAP (Public-Safety Answering Point).
Institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve kombëtare të emergjencës do të caktojnë pranë kësaj strukture personelin e nevojshëm për funksionimin e saj.
Pas marrjes së telefonatës, operatori do të identifikojë llojin e emergjencës dhe koordinatat e vendndodhjes së qytetarit, duke mundësuar lidhjen direkte me shërbimin përkatës. Përgjegjësia e operatorit nuk do të përfundojë me transferimin e telefonatës, por do të vijojë deri në stabilizimin e kontaktit ndërmjet qytetarit dhe institucionit që ofron asistencën.
Në situatat kur nevojitet ndërhyrja e më shumë se një institucioni, sistemi do të koordinojë dhënien e asistencës nga strukturat përkatëse.
Për emergjencat civile dhe rreziqet nga fatkeqësitë, aktivizimi dhe ndërhyrja e integruar e strukturave operacionale do të koordinohen nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.
Çdo telefonatë do të regjistrohet
Vendimi parashikon që çdo telefonatë në numrin 112 të regjistrohet dhe të dokumentohet në një bazë të dhënash. Regjistrimet do t’u vihen në dispozicion organeve ligjzbatuese në rastet kur kërkohen prej tyre.
Sistemi do të përdoret për situata që paraqesin rrezik për jetën, integritetin fizik, shëndetin, sigurinë individuale apo publike, pronën private ose publike, si dhe mjedisin.
Institucionet shtetërore, entet publike dhe subjektet private do të kenë detyrimin të publikojnë numrin e unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
Financimi nga qeveria italiane
Efektet financiare të ngritjes dhe funksionimit të sistemit do të përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të financimit nga qeveria italiane të iniciativës “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”.
Vendimi nuk përcakton vlerën financiare të investimit, afatin konkret të funksionalizimit të plotë të sistemit apo nëse numrat e veçantë të shërbimeve të emergjencës do të vijojnë të funksionojnë paralelisht me numrin 112.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al

