Shqipëria vijon të përballet me sfida serioze në sigurinë rrugore, teksa numri i aksidenteve gjatë dhjetëmujorit të parë të vitit 2026 ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se në periudhën janar-tetor janë regjistruar 1.193 aksidente rrugore, ose 4,3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Vetëm gjatë muajit tetor 2026 janë regjistruar 103 aksidente rrugore, ku 131 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Edhe pse krahasuar me tetorin e vitit të kaluar numri i aksidenteve ka ardhur në ulje, pasojat e tyre mbeten shqetësuese, duke vazhduar të rëndojnë bilancin e sigurisë në rrugët shqiptare.
Sjellja e drejtuesve të mjeteve vazhdon të jetë faktori dominues në shkaktimin e aksidenteve. Sipas raportit, 89,3% e aksidenteve të regjistruara gjatë tetorit kanë ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve. Ky tregues konfirmon se edukimi, ndërgjegjësimi dhe kontrolli më i rreptë i sjelljes së drejtuesve mbeten elementë kyç në përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Të rinjtë dhe të rriturit e moshës 25-34 vjeç përbëjnë grupin më të përfshirë në aksidentet rrugore. Kjo grupmoshë zë 24,3% të totalit të aksidenteve të regjistruara gjatë muajit tetor, duke e bërë atë segmentin më të ekspozuar ndaj rreziqeve në trafik.
Analiza sipas kohës së ndodhjes tregon se aksidentet kanë tendencë të përqendrohen gjatë orëve të mbrëmjes. Më shumë se një e katërta e tyre, ose 26,2%, janë regjistruar në intervalin kohor 19:00-24:00. Ndërsa sipas ditëve të javës, të mërkurat dhe të premtet rezultojnë ditët me numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë secila 18,4% të rasteve, ndërsa e diela paraqitet si dita me incidencën më të ulët.
Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të aksidenteve dhe të personave të aksidentuar në vend. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit janë regjistruar 435 aksidente dhe 529 persona të vrarë ose të plagosur. Pas saj renditen Durrësi me 135 aksidente dhe 182 të aksidentuar, si dhe Lezha me 131 aksidente dhe 218 persona të prekur nga aksidentet. /ekofin.al

