Sektori i ndërtimit ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të lejeve dhe vlerës së projekteve të miratuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, ndërsa sipërfaqja e parashikuar për ndërtime të reja ka regjistruar një zgjerim më të moderuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator 2026 janë miratuar 419 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u miratuan 289 leje.
Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtime të reja arriti në 362,798 metra katrorë, me një rritje prej 3.5% në terma vjetorë.
Vlera e projekteve rritet me 51.6%
Vlera e përafërt e projekteve të miratuara, që përfshin ndërtesat dhe punimet inxhinierike, arriti në 24.1 miliardë lekë, nga 15.9 miliardë lekë në tremujorin e tretë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 51.6%.
Nga vlera totale e projekteve të miratuara, rreth 21.4 miliardë lekë u përkasin ndërtimeve të reja, ndërsa 2.75 miliardë lekë rikonstruksioneve.
Rritja e numrit të lejeve dhe e vlerës së projekteve përbën një sinjal për vijimësinë e aktivitetit në sektorin e ndërtimit gjatë periudhave të ardhshme.
Ndërtimet për banim dominojnë
Ndërtimet për banim vijojnë të zënë peshën kryesore në strukturën e lejeve të miratuara nga bashkitë.
Gjatë tremujorit të tretë janë miratuar 329 leje për ndërtesa rezidenciale, që përbëjnë 78.5% të numrit total të lejeve, me një sipërfaqe prej 259,724 metrash katrorë.
Vlera e projekteve për ndërtimin e banesave të reja arrin në 12.55 miliardë lekë.
Sipas kategorive, janë miratuar 123 leje për ndërtesa njëkatëshe, 158 për ndërtesa dykatëshe, 44 për ndërtesa me tre ose më shumë kate dhe 4 për rezidenca për komunitetet.

Megjithëse ndërtesat me tre ose më shumë kate përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të numrit të lejeve, ato zënë mbi 72% të sipërfaqes së parashikuar për ndërtime rezidenciale, me 188,089 metra katrorë dhe një vlerë projektesh prej afro 9 miliardë lekësh.
13 leje për hotele, 29 për ndërtesa tregtare
Gjatë periudhës korrik-shtator 2026 janë miratuar edhe 90 leje për ndërtesa jorezidenciale, me një sipërfaqe totale prej 103,074 metrash katrorë dhe një vlerë për ndërtimet e reja prej 4.14 miliardë lekësh.
Në sektorin e hotelerisë janë miratuar 13 leje ndërtimi, me një sipërfaqe prej 8,221 metrash katrorë dhe një vlerë projektesh prej 450.7 milionë lekësh.
Ndërtesat tregtare zënë peshën më të madhe të sipërfaqes në kategorinë e ndërtimeve jorezidenciale, me 29 leje, 45,953 metra katrorë dhe një vlerë prej rreth 2.2 miliardë lekësh.
Gjithashtu, janë miratuar 14 leje për ndërtesa industriale, 5 për ndërtesa zyrash dhe 29 për ndërtesa të tjera jorezidenciale.
Mbi 6.6 miliardë lekë për projekte infrastrukturore
Punimet inxhinierike përbëjnë një tjetër kategori të rëndësishme të projekteve të miratuara, me një vlerë totale prej 6.62 miliardë lekësh, përfshirë ndërtimet e reja dhe rikonstruksionet.
Pjesa më e madhe e kësaj vlere i përket infrastrukturës së transportit, rrugëve dhe autostradave, me rreth 3.85 miliardë lekë.
Projektet për linjat e ujësjellësve, rrjetet elektrike dhe telekomunikacionin arrijnë në 2.06 miliardë lekë, ndërsa punimet e tjera inxhinierike në rreth 713 milionë lekë.
Statistikat nuk përfshijnë të gjitha lejet e miratuara në vend
INSTAT sqaron se statistikat e publikuara mbështeten aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, ndërkohë që në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse.
Për shkak të mungesës së një raportimi të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha institucionet, statistikat nuk pasqyrojnë të gjithë volumin e lejeve të ndërtimit të miratuara në vend.
Gjithashtu, të dhënat për tremujorin e tretë të vitit 2026 konsiderohen paraprake, pasi jo të gjitha bashkitë kanë raportuar pranë INSTAT. /ekofin.al

