Kryeministri Edi Rama ka folur për Paketën Fiskale 2027 dhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë.
Në podcast-in e tij “Flasim”, kreu i qeverisë theksoi se sfida kryesore është që kjo ulje të reflektohet edhe në çmimet përfundimtare që paguajnë qytetarët.
Rama kërkoi përgjegjshmëri nga bizneset dhe tregtarët, ndërsa paralajmëroi shtimin e kontrolleve nga ana e qeverisë për të garantuar zbatimin e masës dhe për të shmangur përfitimin e bizneseve në kurriz të konsumatorëve.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin “Pasqyrën Digjitale të Çmimeve”, një instrument ku raportohen çmimet e 224 produkteve të ndryshme dhe që u mundëson konsumatorëve të bëjnë krahasime mes pikave të shitjes.
“Paketa e re fiskale, një pikë shumë e rëndësishme e saj ishte një pikë që adresonte problematikën e çmimeve të ushqimeve bazë, për të cilat, 54 produkte, Parlamenti me propozim të Qeverisë vendosi të ulë TVSH-në nga 20% në 6%. Por kjo ulje, të mos jetë një ulje që të mbetet relativisht, sepse gjithsesi një ulje do reflektohet, por që të mbetet në shifrat e ligjit, duhet që edhe zbatimi në praktikë të shoqërohet me dije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por edhe me kontrolle dhe sa më shumë transparencë nga qeveria”, u shpreh Rama.
Kryeministri pranoi se reflektimi i menjëhershëm i uljes së TVSH-së në çmimet e produkteve mund të jetë i vështirë, duke diskutuar edhe me përfaqësues të rrjeteve të marketeve.
Megjithatë, ai paralajmëroi se një pjesë e bizneseve mund të tentojnë ta mbajnë për vete përfitimin nga ulja e taksës, në vend që t’ua kalojnë atë konsumatorëve.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, nuk bëhet kapitalizmi lepur”, deklaroi Rama, duke iu referuar interesit të bizneseve për të maksimizuar fitimet.
Në vijim, kreu i qeverisë solli në vëmendje një shprehje të gjyshes së tij, “fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur”, për të argumentuar se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet edhe me kujdes për shtresat që kanë më shumë vështirësi ekonomike.
Sipas tij, pasurimi i një biznesi nuk mund të shihet i shkëputur nga gjendja ekonomike e njerëzve që e rrethojnë, pasi thellimi i hendekut mes shtresave shoqërore mund të sjellë pasoja për të gjithë. Për këtë arsye, ai e cilësoi ndërhyrjen e qeverisë të nevojshme për të zbutur pabarazitë që krijohen gjatë zhvillimit ekonomik.
“Ti mund të pasurohesh dhe të kesh shumë gjëra, por nëse ai që është afër teje nuk arrin dot të nxjerrë fundin e muajit, duhet të mendosh edhe për të në kontributet që jep, sepse pastaj do vijë te ty. Një shoqëri që zhvillohet dhe në një zhvillim kapitalist, si në Shqipërinë e këtyre viteve, që zhvillimi fillon e merr një ritëm të ri, krijon vetvetiu hendeqe me ata që mbeten pas. Prandaj duhet ndërhyrja e Qeverisë”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se qytetarët që kanë më shumë vështirësi ekonomike duhet të kenë mundësi t’i blejnë produktet bazë me çmime më të përballueshme, edhe nëse kjo do të thotë që bizneset të mos realizojnë fitimin maksimal të mundshëm.
“Kështu që më mirë që këta njerëzit që e kanë më të vështirë sesa të tjerët që të ngrenë atë shportën me ushqime ta marrin më lirë sesa ç’do të ishte fitimi maksimal, sesa ajo shporta t’u bëhet një barrë aq e madhe sa një ditë të vijnë në xhamat e magazinës time. Unë e kuptoj shumë mirë këtë pjesë dhe e di që me predikime nuk zbutet kapitalizmi”, përfundoi Rama./AlbanianPost
