Kafeja është pjesë e përditshmërisë në mbarë botën, por vendet që konsumojnë sasitë më të mëdha të saj nuk janë domosdoshmërisht ato që njihen më shumë për traditën e tyre të kafesë.
Grafiku rendit 96 vende sipas pjesës që zënë në konsumin global të kafesë gjatë vitit tregtar 2025/2026, duke u bazuar në të dhënat e Shërbimit të Jashtëm Bujqësor të Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA) dhe Federatës Evropiane të Kafesë.
Konsumi matet në thasë prej 60 kilogramësh, të llogaritur në ekuivalentin e kokrrave të gjelbra të kafesë. Totali i Bashkimit Evropian është ndarë mes vendeve anëtare, sipas pjesëve të shitjeve të vitit 2024.
SHBA-ja dhe Brazili konsumojnë më shumë se një të katërtën e kafesë në botë
Tetë vendet me konsumin më të lartë të kafesë përbëjnë 51.1% të kërkesës globale. Në mesin e tregjeve kryesore, krahas SHBA-së dhe Brazilit, renditen edhe Gjermania, Japonia, Filipinet dhe Kina.
Këto renditje matin konsumin total dhe jo sasinë e kafesë së konsumuar për banor, duke u dhënë përparësi vendeve me popullsi të madhe kundrejt shteteve më të vogla, por me tradita të forta të konsumit të kafesë.
Tabela e mëposhtme rendit të 96 tregjet e përfshira në studim, sipas pjesës që zënë në konsumin global dhe vëllimit total të konsumit, të shprehur në mijëra thasë prej 60 kilogramësh.
SHBA-ja kryeson me 25.6 milionë thasë kafeje të konsumuara, e mbështetur nga një numër i madh konsumatorësh të rregullt. Sipas Shoqatës Kombëtare të Kafesë, 66% e të rriturve amerikanë konsumojnë kafe çdo ditë. Kjo bazë e gjerë konsumatorësh e bën SHBA-në importuesin më të madh të kafesë në botë, megjithëse vendi prodhon shumë pak kokrra kafeje.

Në të kundërt, Brazili, me 22.3 milionë thasë, dhe Etiopia, tregu më i madh i kafesë në Afrikë, me 4.5 milionë thasë, janë gjithashtu prodhues të mëdhenj. Të dyja vendet ruajnë për konsum të brendshëm më shumë se një të tretën e prodhimit të tyre. Kjo shpjegon pse ato renditen përpara disa vendeve më të pasura që mbështeten kryesisht te importet.
Azia ka pesë vende në dhjetëshen e parë, por Evropa kryeson në total
Rajoni Azi-Paqësor përbën 23.3% të konsumit global të kafesë, me pesë vende në dhjetëshen e parë. Japonia dhe Filipinet kryesojnë rajonin me nga 3.8% të konsumit global, të ndjekura nga afër nga Kina me 3.7%.
Prodhuesit e mëdhenj të kafesë, Vietnami dhe Indonezia, me nga 2.8% secili, plotësojnë një pjesë të madhe të kërkesës së brendshme përmes prodhimit vendas, ndërsa Filipinet mbështeten kryesisht te produktet e importuara të kafesë.
Kafja e tretshme përbën 94% të konsumit të kafesë në Filipine, duke e bërë këtë vend importuesin më të madh në botë të kafesë së tretshme.
Ndërkohë, konsumi i kafesë në Kinë është pothuajse trefishuar gjatë dekadës së fundit, duke e afruar vendin me Japoninë, e cila renditet e katërta në botë për nga vëllimi i konsumit.
Evropa kryeson të gjitha rajonet me 31.6% të konsumit global, të shpërndarë në 36 vende. Gjermania, me 6.4%, dhe Franca, me 2.9%, janë të vetmet vende evropiane në dhjetëshen e parë të renditjes globale.

Kafeja është gjithashtu thellësisht e rrënjosur në kulturën evropiane. Tradita italiane e ekspresit përqendrohet te kafetë e shkurtra dhe të forta, që shërbehen në baret e lagjeve, ndërsa në Suedi tradita e njohur si “fika” e kthen pirjen e kafesë në një moment të rregullt pushimi dhe shoqërizimi, edhe gjatë orarit të punës.
Suedia është një shembull domethënës se si zakonet e konsumit të kafesë mund të kenë më shumë peshë sesa madhësia e popullsisë. Megjithëse ka një popullsi shumë më të vogël se India, Suedia përbën 1.1% të konsumit global të kafesë, krahasuar me 0.9% që zë India.
Ky krahasim tregon se renditjet e bazuara në konsumin total mund të jenë shumë të ndryshme nga ato që matin sasinë mesatare të kafesë që konsumon çdo banor./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al
