Inteligjenca artificiale (IA) mund të nxisë rritjen ekonomike në Evropë, me kusht që rregullat e konkurrencës së Bashkimit Evropian t’u krijojnë mundësi kompanive të reja të hyjnë në treg, tha ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Philippe Aghion.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur po shtohen shqetësimet për dominimin e një numri të vogël kompanish amerikane në tregun e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e kësaj teknologjie në punësim, mes frikës për humbje masive të vendeve të punës në vitet e ardhshme.
“Me inteligjencën artificiale, më shumë se kurrë, kemi të bëjmë me shkatërrim krijues, pasi nëse shohim ritmin e zhdukjes dhe krijimit të vendeve të punës, ai po përshpejtohet nga revolucioni i IA-së. Pikërisht për këtë arsye është kaq e rëndësishme të lejohet hyrja e kompanive të reja në treg”, tha Aghion gjatë një aktiviteti në Bruksel.
Ai shtoi: “Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kemi institucione dhe mekanizma si sistemi i sigurisë fleksibël në punësim (flexicurity), i cili lehtëson kalimin nga vendet e vjetra të punës drejt atyre të reja, pasi ndihmon në menaxhimin e ndërprerjeve të mëdha që mund të shkaktohen nga këto ndryshime”.
Aghion iu referua modelit të tregut të punës në Danimarkë, i cili ndërthur fleksibilitetin në punësimin dhe largimin nga puna me një rrjet të gjerë mbështetjeje financiare për personat e papunë.
Një raport i fundit i Komisionit Evropian tregon se punësimi i punonjësve me kualifikim të lartë mund të rritet me 20% deri në vitin 2040 falë inteligjencës artificiale, ndërsa humbjet e vendeve të punës për punonjësit me kualifikim të ulët mund të variojnë nga 20% deri në 60% në të gjithë Evropën.
Aghion ndau Çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike për vitin 2025 për punën e tij mbi konceptin e “shkatërrimit krijues”, një proces përmes të cilit risitë e reja zëvendësojnë vazhdimisht teknologjitë, bizneset dhe vendet e vjetra të punës.
Rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës
Aghion tha se sistemet e mirëqenies sociale në Bashkimin Evropian janë më të përgatitura se sistemi amerikan për të përballuar ndryshimet në punësim që lidhen me inteligjencën artificiale.
“Ne jemi përpara Shteteve të Bashkuara kur bëhet fjalë për përshtatjen e tregut të punës me revolucionin e inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai tha gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të marrë shembull nga Shtetet e Bashkuara për politikat industriale, në mënyrë që inteligjenca artificiale të sjellë rritje ekonomike dhe vende të reja pune.
“Në Shtetet e Bashkuara kanë si politikë konkurrencën, ashtu edhe politikën industriale. Ata kanë DARPA-n, Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar në Mbrojtje, e cila përfaqëson një mënyrë të politikës industriale që favorizon konkurrencën”.
DARPA është një agjenci amerikane përgjegjëse për zhvillimin e teknologjive të reja në fushën e mbrojtjes.
“Në Evropë, deri më tani, nuk kemi një institucion të barasvlershëm me DARPA-n. Do të ishte shumë e dobishme të krijonim një të tillë për zhvillimin e kapaciteteve kompjuterike në fushën e inteligjencës artificiale, gjë që do të nxiste gjithashtu hyrjen e kompanive të reja në treg”, shtoi ai.
Aghion argumentoi se qasja e Bashkimit Evropian ndaj politikës së konkurrencës po pengon dhënien e ndihmës shtetërore për këtë sektor, duke e cilësuar këtë një qasje që bie ndesh me zhvillimin e politikës industriale.
Ai theksoi se rregullat e konkurrencës në Bashkimin Evropian duhet të nxisin hyrjen e aktorëve të rinj në treg dhe të promovojnë shkëmbimin e të dhënave në të gjithë zinxhirin e vlerës së inteligjencës artificiale, përfshirë edhe shërbimet e kompjuterikës në cloud.
Dominimi i gjigantëve amerikanë të teknologjisë në sektorin e inteligjencës artificiale ka tërhequr tashmë vëmendjen e autoriteteve rregullatore të Bashkimit Evropian.
Në dhjetor 2025, Komisioni Evropian nisi një hetim ndaj Google, për shkak të shqetësimeve se kompania mund të jetë duke shtrembëruar konkurrencën përmes vendosjes së kushteve të padrejta ndaj botuesve dhe krijuesve të përmbajtjes, ose duke i dhënë vetes akses të privilegjuar në materialet e tyre.
Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për zbatimin e ligjit të konkurrencës në Bashkimin Evropian, nisi gjithashtu një hetim antitrust ndaj Meta-s, për të përcaktuar nëse politika e saj që kufizon aksesin e ofruesve të inteligjencës artificiale në WhatsApp shkel rregullat e BE-së./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
