Në Bashkinë Vlorë, 665 gjoba të vendosura nga Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IMTV) kanë mbetur të papaguara, me një vlerë totale prej 402 milionë lekësh. Për pjesën dërrmuese të tyre nuk është dokumentuar ndjekja e procedurave ligjore për ekzekutimin e detyrueshëm, ndërsa për gjobat e papaguara gjatë vitit 2025 nuk janë përllogaritur as kamatëvonesat.
Sipas auditimit, deri më 31 dhjetor 2025, vlera e gjobave të formës së prerë dhe të paarkëtuara arriti në 402,010,813 lekë. Nga kjo shumë, 206,025,000 lekë janë detyrime të mbartura nga vitet e mëparshme, ndërsa 195,985,813 lekë u përkasin 102 gjobave të vitit 2025, të cilat nuk ishin shlyer deri në fund të vitit.
KLSH konstaton se, me përjashtim të 19 gjobave me vlerë 25,710,000 lekë, për të cilat ishin paraqitur kërkesa për urdhër ekzekutimi gjatë vitit 2025, për gjobat e tjera nuk ishte dokumentuar nëse ishin ndërmarrë procedurat përkatëse.
Gjatë vitit 2025 u shfuqizuan edhe 619 gjoba me vlerë 222 milionë lekë
KLSH vëren në raport shfuqizimin e një numri të konsiderueshëm gjobash të vendosura në periudhat e mëparshme. Sipas të dhënave, në fund të vitit 2024 rezultonin 1,182 gjoba me detyrime të papaguara prej 428,090,000 lekësh. Gjatë vitit 2025, prej tyre u shfuqizuan 619 masa administrative, me vlerë 222,065,000 lekë, duke e ulur stokun e detyrimeve të mëparshme në 563 gjoba, me vlerë 206,025,000 lekë.
Shfuqizimi është kryer në zbatim të ligjit nr. 127/2024 dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 274, datë 9 maj 2025, që përcakton procedurat për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara.
Këto 619 gjoba nuk përfshihen në shumën prej 402 milionë lekësh që rezultonte ende e paarkëtuar në fund të vitit 2025.
Megjithatë, pavarësisht shfuqizimit të një pjese të konsiderueshme të detyrimeve të mëparshme, gjatë vitit u shtuan 102 gjoba të reja të papaguara, me vlerë afro 196 milionë lekë. Kjo bëri që në fund të vitit, detyrimet e mbetura nga gjobat e IMTV-së të arrinin në mbi 402 milionë lekë.

Gjobat nuk u ndoqën për ekzekutim, mungojnë edhe kamatëvonesat
Për pjesën më të madhe të gjobave, audituesit nuk gjetën dokumentacion që të provonte paraqitjen e kërkesave në gjykatë për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit dhe mbledhjen e detyrimeve përmes përmbarimit. Gjithashtu, për gjobat e vitit 2025 të pashlyera brenda afatit, nuk ishin përllogaritur kamatëvonesat, të cilat për kategori të caktuara parashikohen në masën 2% në ditë, deri në një muaj. Raporti përfshin një gjobë prej 19.25 milionë lekësh, të vendosur më 7 mars 2025, si dhe gjoba të tjera nga 10 mijë deri në 740 mijë lekë, për të cilat nuk ishte dokumentuar ndjekja e procedurave të ekzekutimit.
Sipas raportit, pwrgjegjwsia bie te drejtuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që kanë ushtruar detyrën gjatë periudhave janar–mars, mars–qershor dhe korrik–dhjetor 2025.
Probleme edhe me kontrollin e ndërtimeve në vitet e mëparshme
Kontrolli i Lartw i Shtetit thekson se krahas mangwsive pwr ndjekjen e masave administrative Bashkia ka pasur mangësi edhe në kontrollin e punimeve të ndërtimit, hartimin e planeve të inspektimit dhe dokumentimin e ekzekutimit të vendimeve të prishjes.
Konkretisht, për vitin 2024, auditimi i mëparshëm kishte konstatuar 166 raste për të cilat ishin nxjerrë vendime prishjeje, por nuk kishte evidencë për realizimin e tyre.
Gjithashtu, në disa raste të kontrolluara për vitin 2023, mungesa e inspektimeve në terren ishte shoqëruar me devijime nga lejet e miratuara të ndërtimit.
Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Kryeinspektorit të IMTV-së në Bashkinë Vlorë marrjen e të gjitha masave administrative dhe ligjore për arkëtimin e detyrimeve prej 402,010,813 lekësh./ekofin.al
