Shqipëria ka kaluar pothuajse të gjitha shërbimet publike në internet, por një pjesë e qytetarëve vazhdon të ketë vështirësi për t’i përdorur ato. Rreth 35% e përdoruesve ruralë të përfshirë në një studim të cituar nga Banka Botërore kanë raportuar probleme në përdorimin e platformës e-Albania për shkak të aftësive të kufizuara digjitale.
Sipas raportit, mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen përmes e-Albania, me më shumë se 1,200 shërbime digjitale. Ndërkohë, 96.7% e familjeve shqiptare raportojnë se kanë akses në internet.
Megjithatë, përhapja e internetit dhe ofrimi elektronik i shërbimeve nuk janë shoqëruar me të njëjtin nivel aftësish për përdorimin e tyre.
Banka Botërore vëren se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në digjitalizimin e administratës, përdorimi efektiv i shërbimeve dhe lehtësia e aksesit ndryshojnë mes grupeve të popullsisë.
Problemi bëhet më i dukshëm në zonat rurale, ku mungesa e njohurive teknologjike mund ta vështirësojë marrjen e dokumenteve, aplikimin për shërbime dhe kryerjen e procedurave administrative.

Shërbimet vetëm online mund të krijojnë pengesa
Raporti nxjerr në pah edhe një tjetër shqetësim: mënyrën e organizimit të shërbimeve publike.
Që prej vitit 2022, shumë procedura administrative kryhen vetëm në internet, pa ruajtur alternativa paralele në sportelet fizike. Ky ndryshim ka reduktuar nevojën për dokumente në letër dhe paraqitjen pranë institucioneve, por sipas Bankës Botërore mund të krijojë probleme për përfshirjen e qytetarëve që nuk kanë aftësi të mjaftueshme digjitale.
Në këtë situatë, një shërbim mund të jetë formalisht i disponueshëm për të gjithë, ndërsa në praktikë të mbetet i vështirë për t’u përdorur nga një pjesë e popullsisë.
Hendeku konfirmohet edhe nga të dhënat mbi aftësitë digjitale. Vetëm 23.3% e popullsisë shqiptare zotëron të paktën aftësi bazë, kundrejt mesatares prej 54.7% në Bashkimin Evropian, sipas treguesve të OECD-së të referuar në raport.
Diferenca prej 31.4 pikësh përqindjeje tregon se përhapja e teknologjisë ka ecur shumë më shpejt sesa zhvillimi i njohurive të nevojshme për ta përdorur atë. Në vlerësimin e Bankës Botërore, Shqipëria ka krijuar një bazë të zhvilluar për ofrimin e shërbimeve digjitale, por përfshirja e qytetarëve dhe përmirësimi i përvojës së përdoruesve mbeten sfida të rëndësishme. /ekofin.al
