Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në sektorin bankar ka prekur nivelin e 1.59 trilionë lekëve, në rritje me 5% krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar.
Korça rezulton të jetë rrethi me rritjen më të lartë të depozitave në sektorin bankar për tremujorin e fundit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, depozitat në këtë rreth kanë arritur pranë 62 mln lekëve, duke konstatuar kështu një rritje me 9.2%. Në këtë renditje ndjek Fieri dhe Tirana me një rritje të “kursimeve” në 7.3% dhe 7.1% përkatësisht. Një rritje të konsiderueshme regjistrojnë edhe rrethet si Lezha dhe Durrësi me 5.8% dhe 5% përkatësisht.Ndërkohë, sipas të dhënave, rritja ka qenë më e ulët në rrethet si Shkodra dhe Vlora.
Rrethet e pasqyruara nga “Banka e Shqipërisë” kanë patur performancë pozitive të depozitave duke mos regjistruar asnjë rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas. Ajo që vihet re nga shifrat është fakti se rrethet me rritjen më të madhe të depozitave janë kryesisht ato turistike dimërore siç është rrethi i Korçës.
Shifrat tregojnë se totali i depozitave duke përfashirë depozitat në monedhë vendase dhe atë të huaj paraqiten me rritje në çdo rreth. Sipas të dhënave rritja e depozitave në monedhën e huaj kundrejt monedhës vendase është dyfishuar apo trefishuar. Ndërkohë, në Tiranë depozitat në lekë janë rritur me 13% ndërsa depozitat në monedhën europiane janë rritur me vetëm 3%. Kjo rritje e depozitave në monedhë të huaj lidhet me kushtet favorizuese të kursit të këmbimit gjatë kohëve të fundit.
