Administrata Tatimore ka publikuar të dhëna të detajuara mbi aktivitetin e realizuar përmes platformës Booking.com në Shqipëri, duke sinjalizuar njëkohësisht rritjen e monitorimit dhe kërkesën për deklarim të saktë të të ardhurave nga akomodimi.
Sipas të dhënave për periudhën janar – shtator 2025, rezulton se 17,225 subjekte dhe individë kanë realizuar shitje përmes platformës. Ndërkohë 80,122,524 euro është vlera totale e rezervimeve dhe 12,858,004 euro është vlera e komisioneve të platformës.
Këto shifra konfirmojnë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të ekonomisë së platformave në sektorin e turizmit dhe akomodimit në vend.
Në këtë kontekst, Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë individëve që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes Booking.com që t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025).
Ndërkohë, bizneset që operojnë në këtë sektor duhet të verifikojnë përputhshmërinë e deklarimeve të tyre me të dhënat e disponuara nga platforma, për të shmangur kontrollet dhe rivlerësimet tatimore.
Sipas Tatimeve, mosdeklarimi i të ardhurave përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe shoqërohet me penalitete financiare dhe masa administrative.
Rritja e shpejtë e rezervimeve përmes platformave si Booking.com ka sjellë një sfidë të re për administratën fiskale, e cila tashmë po përdor të dhëna të drejtpërdrejta për të identifikuar aktivitetet e padeklaruara.
Ky zhvillim sinjalizon një fazë të re të formalizimit në turizëm, ku transparenca fiskale dhe gjurmueshmëria e të ardhurave dixhitale po bëhen prioritet për autoritetet.
Në kushtet kur Shqipëria po përjeton një boom turistik, përfshirja e plotë e këtij segmenti në sistemin tatimor mbetet thelbësore për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe të ardhura të qëndrueshme për buxhetin e shtetit. /ekofin.al
