Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023. Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5% gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1%.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare, shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte.
“Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit i cili ka avantazhet e tij. Në mungesë të regjimi të lirë të kursit të këmbimit do të vepronim ndryshe me instrumentin e politikës monetare. Do të kishim norma shumë më të larta interesi dhe kosto më të larta të shtuara si për bizneset ashtu dhe për qytetarët. Do të kishim norma më të larta interesi të kredisë do të kishim probleme me performancën në kthimin e kredive që ndikojnë në stabilitetin financiar e të tjera me radhë në efekt zinxhir. Pra situata duhet parë në kompleks. Banka e Shqipërisë e shikon efektin e kursit të lirë të këmbimit valutor dhe vetë kursin e këmbimit në kompleks dhe në konteksin makro. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit. Siç e kemi theksuar disa herë, ne ndërhyjmë për efekt të rezervës valutore, për efekt të çrregullimeve dhe për efekt të objektivave tanë ligjorë, siç është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar”, tha Sejko.
Sipas tij, kursi i këmbimit monitorohet me kujdes dhe BSH e ndjek jo vetëm në bazë ditore por në çdo moment. Ka një monitorim dhe analizë të kursit të këmbimit nga departamentet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe së fundmi dhe direkt nga drejtimi i lartë i Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, ai tha se luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta, duke sinjalizuar mundësinë e ekizstencës së çrregullimeve në tregun valutor. Në rast se këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të euros për nevojat e rezervës valutore. Sipas tij, deri tani gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, kryesisht nëpërmjet ankandeve të planifikuara për rritjen e rezervës.
