Walt Disney ka rënë dakord të paguajë një gjobë civile prej 10 milionë dollarësh, si pjesë e një marrëveshjeje për të zgjidhur akuzat se ka shkelur ligjet për privatësinë e fëmijëve në disa video të ngarkuara në YouTube, njoftoi të martën Departamenti i Drejtësisë i SHBA.
Një padi e Departamentit të Drejtësisë pretendon se Disney Worldwide Services dhe Disney Entertainment Operations nuk i kanë etiketuar siç duhet disa video të ngarkuara në YouTube si “Made for Kids” (“Të krijuara për fëmijë”). Kjo u ka mundësuar Disney-t dhe të tjerëve që vepronin në emër të saj të mbledhin të dhëna personale nga fëmijë nën moshën 13 vjeç dhe t’i përdorin këto informacione për reklama të synuara.
Urdhri, i cili finalizon një marrëveshje të shpallur në shtator, kërkon që Disney të krijojë një program për të garantuar se në të ardhmen do të respektojë siç duhet Ligjin për Mbrojtjen e Privatësisë së Fëmijëve në Internet (Children’s Online Privacy Protection Rule) në YouTube.
Ligji u kërkon faqeve të internetit, aplikacioneve dhe shërbimeve të tjera online të drejtuara për fëmijë nën 13 vjeç që të njoftojnë prindërit për informacionin personal që mbledhin dhe të marrin pëlqimin e verifikueshëm të prindërve përpara mbledhjes së këtyre të dhënave.
“Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar fuqimisht për të siguruar që prindërit të kenë fjalën e tyre në mënyrën se si mblidhen dhe përdoren informacionet e fëmijëve të tyre,” tha në një deklaratë Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Brett Shumate nga Divizioni Civil i Departamentit të Drejtësisë.
Disney nuk ishte menjëherë i arritshëm për koment. Rasti iu referua Departamentit të Drejtësisë nga Federal Trade Commission./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
