Microsoft ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 9.7 miliardë dollarë me operatorin e qendrave të të dhënave IREN, që përfshin akses në çipet e avancuara të Nvidia, me synimin për të zbutur mungesën e kapaciteteve kompjuterike që e ka penguar kompaninë të përfitojë plotësisht nga “boomi” i inteligjencës artificiale.
Lajmi bëri që aksionet e IREN të rriteshin deri në 24.7%, duke arritur një rekord të ri të hënën, ndërsa në fund të ditës mbetën rreth 10% më lart. Prodhuesi i serverëve për AI, Dell, gjithashtu u rrit me rreth 1%, pasi do t’i furnizojë IREN me çipet GB300 të Nvidia-s dhe pajisje të tjera që Microsoft do t’i përdorë për rreth 5.8 miliardë dollarë.
Marrëveshja pesëvjeçare e Microsoft pasqyron oreksin gjithnjë e më të madh të industrisë së AI për fuqi llogaritëse, të nevojshme për aplikacione si ChatGPT. Ajo vjen pas rezultateve tremujore të kompanive të mëdha të teknologjisë javën e kaluar, të cilat theksuan se mungesa e kapaciteteve po kufizon aftësinë e tyre për të përfituar plotësisht nga rritja e kërkesës për AI.
Partneriteti me IREN do t’i mundësojë Microsoft të zgjerojë kapacitetin kompjuterik pa ndërtuar qendra të reja të dhënash apo pa siguruar furnizim shtesë me energji — dy nga pengesat kryesore që kanë ngadalësuar aftësinë e saj për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për AI.
Në këtë mënyrë, Microsoft do të shmangë shpenzimet e mëdha kapitale për çipe që humbasin vlerën me shpejtësi, sapo dalin në treg procesorë më të fuqishëm.
Kjo kërkesë e lartë ka nxitur kompanitë e ashtuquajtura “neocloud”, si CoreWeave dhe Nebius Group – të cilat ofrojnë shërbime cloud të ndërtuara mbi procesorët e Nvidia-s – të marrin epërsi në garën e AI. Së fundmi, Microsoft nënshkroi gjithashtu një marrëveshje 17.4 miliardë dollarëshe me Nebius për kapacitete infrastrukturore.
IREN, e cila kishte një vlerë tregu prej 16.52 miliardë dollarësh në mbyllje të fundit të tregut, pas një rritjeje gjashtëfish të aksioneve këtë vit, zotëron disa qendra të dhënash në gjithë Amerikën e Veriut, me një kapacitet total prej 2,910 megavatësh.
Kompania tha se procesorët Nvidia do të instalohen gradualisht deri në vitin 2026 në kompleksin 750-megavatësh në Childress, Texas, së bashku me qendra të reja të dhënash të ftohura me lëngje, të projektuara për të siguruar rreth 200 megavatë kapacitet kritik IT.
IREN bëri të ditur se pagesa paraprake e Microsoft do të ndihmojë në financimin e pjesës së marrëveshjes 5.8 miliardë dollarëshe me Dell. Kontrata me Microsoft mund të anulohet nëse kompania nuk përmbush afatet e dorëzimit.
Ndërkohë, të hënën, startup-i Lambda, që operon në fushën e “AI cloud”, njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe me Microsoft për të ndërtuar infrastrukturë AI të fuqizuar nga Nvidia./Përshtati nga Yahoo Finance, ekofin.al
