Nga Gjergj Buxhuku
Përse është mallkim dhe jo krenari do të ishte pyetja e ligjshme për titullin? Monedha e ekonomisë së Shqipërisë ka rrëzuar monedhën e fuqisë së parë ekonomike të botës, Bashkimin Europian. Dhe të mendosh, që ndodh pikërisht ndaj BE ku janë janë larguar dhe jetojnë për mbijetësë 1/3 e shqiptarëve, ku importet europiane tejkalojnë ende me 2,3 herë eksportet shqiptare. Euro është rrënuar me afër 9% ndaj Lek-ut në 2022-23. Fakti është i qartë dhe i prekshëm. Por, shpjegimi i faktit nxjerr të pavlera teoritë ekonomike, të paafta ta shpjegojnë me ligjësi normale të një shteti minimalisht demokratik.
Mrekullia ekonomike shqiptare. E drejtë! Në këtë kuptim edhe si krenari mund të lexohet për politikën, grupime antitreg dhe individë me ngarkesa kriminale. Por, mjerisht jo për interesin publik dhe shtetin demokratik. Pas pak vitesh vërtet do të habitemi edhe ne vetë, se si është e mundur, që shteti arriti deri në atë pikë, që bën të mundur të ndodhin çudi të tilla. Të ngjashme vetëm me lejimin e piramidave shkatërruese të 97’. Politika vendimarrëse përsërit me krenari gabimet tragjike edhe pas 25 vitesh!
Ndërkohë, për qytetarët është vetëm një shenjë, që ndjell mallkim pa ditur qartë askush, se kur, si dhe ku mund të ndalet. Njëjtë edhe për bizneset e ndershme. Djalli ka dalë nga shishja dhe ne nuk e dimë sesi dhe kur mund të rifutet. Është përtej mundësive tona të brendshme.
Por, si shpjegohet, përse ka ndodhur dhe çfarë pasojash sjell fuqizimi i panatyrshëm ligjerisht i Lek-ut?
Shpjegimi, se përse ka ndodhur është i thjeshtë. Nuk ka nevojë të zgjatemi. Janë rrymat valutore të paligjshme, që kanë vërshuar në ekonominë dhe jetën e përditshme të shqiptarëve. Rrymat e valutave informale, që vërshojnë lumë shndërrohen në kulla gjigande, resorte, lokale dhe biznese monopol, që shkatërrojne konkurencën dhe paradoksalisht marrin edhe pjesën të mëdha deri edhe në financimet publike! Gjithçka kthehet në një rreth të mbyllur, që nxit edhe më shume flukset e paligjshme, për ta kthyer Shqipërinë në një parajsë fiskale “ de facto” në mes të Europës. Fuqizimi i Lek-ut dhe shkatërrimi i valutave tregon, se të hyrat e paligjshme janë karburant shumë i rëndësishëm, që vë në lëvizje motorrin ekonomik të vendit. Karburant, që shkatërron jo vetëm ekonominë, por kap politikën, median, drejtësinë dhe mbyt në lindje demokracinë. Shqipëria shënjestrohet si “gropa e zezë” e pastrimit të parave në kontinent.
Për pasojat le të gjykojmë. Në harkun e vitit të fundit monedha e BE është zhvleftësuar me mbi 9% ndaj monedhës shqiptare. Në të njëjtën kohë, inflacioni zyrtar i disa prej prodhimeve ushqimore kryesore të shportës të matur në prill 2023 është të paktën në 15-17%. Më e lartë, se mesatarja e ngjashme e BE. Kjo do të thotë, se edhe në afatshkurtër nga rënia e euros ndaj lek-ut, qytetari i thjeshtë nuk ka ndjerë asnjë përfitim kosto jetese, asnjë mbrojtje. Përkundrazi. Për pak më gjatë në kohë rrezikon të kthehet në mallkim në gjithë kuptimin e fjalës. Industritë, prodhimi vendor dhe eksportet janë në mëshirën asgjësuese të importeve. Prodhimi shqiptar edhe kështu i pakët dhe i dobët rrezikon asgjësim të plotë. Nesër do të jetë vonë të flasim, sepse duhet të kishim folur dhe vepruar për parandalim jo sot, por shumë më përpara edhe se dje.
Por, pasojat nuk mjaftojnë me kaq. Më e rrëzikshmja në ekonomi është shkatërrimi i konkurencës së bizneseve dhe varesia gjithmonë e më e madhe e gjithë ekonomisë nga burimet informale. Të ngjashëm mund të jenë vetëm më vende të tilla si varësia e Venezuelës vetëm nga nafta, shtetet e Amerikës Qëndrore nga bananet dhe sheqeri. Por, edhe më keq sesa ata. Sepse, ata mirë apo keq kishin një prodhim real, qoftë edhe të vetëm. Ndërkohë, industria e të ardhurave të paligjshme shqiptare nuk është plotësisht në dorën e politikës shqiptare.
Të mendojmë, për një cast, që shtetet ku rrymat e parave të paligjshme prodhohen, të ndërhyjnë për ta ndaluar krejtësisht. Siç po duken edhe shenjat në fakt. Lek- u i mbiçmuar do të rrënohej shumë shpejt. Kompanitë e mëdha monopol do të binin të parat. Kullat dhe resortet do mbeteshin skelete. Inflacioni do të kapte qiellin. Sistemi bankar do te rrezikohej qartesisht. Buxheti do të varfërohej menjeherë. Industri dhe prodhim vendor nuk do te kishte. Pasojat, deri në paqëndrueshmëri sociale dhe kushtetuese merren më mend. 97’ nuk është thjesht ëndërr.
Për hir të së vërtetës, mendoj, se mëkati më i madh i politikës shqiptare në gjithë këto vite nuk është lejimi i të hyrave jo të ligjshme në vend. Bota, përfshi edhe predikuesit e huaj të demokracisë, është e egër dhe jo e përsosur. Aq më shume për rastin e mbijetesës shqiptare pas komuniste.
Mëkati më i madh yni është shpërdorimi masiv, makutëria, korrupsioni dhe paaftesia e përdorimit si duhet e të hyrave të të gjitha llojeve gjatë gjithë këtyre viteve. Shkatërrimi i prodhimit vendor, i industrive, infrastruktura e dobët e kanë lënë vendin krejtësisht dhe gjithmonë e më shumë në mbijetesën e përditshme nga burimet e paligjshme. Shqipëria sot është vend në të cilin jo vetëm nuk penalizohet financiarisht askush për ‘pastrimin’ e parave informale, por ato edhe shumëfishohen duke përdorur buxhetin publik, koncesionet dhe PPP e përdorimit të burimeve natyrore të vendit! Kapitali informal dhe zotëruesit e tij kanë kapur shtetin. Sot është shumë e vështirë të bësh dallimin, se ku fillon dhe mbaron sistemi politike, monopolet, nëntoka dhe kapitali i paligjshëm.
Ndërkohë, mbretërimit të lek-ut rrezikon ti vijë fundi më shpejt sesa mendojmë ne dhe shpresojnë, pjesët përfitues të sistemit. Partnerët po japin qartësisht shenja, se do të ndërhyjnë. Ndalimi i nismës së fundit të amnistisë fiskale, vendosja pa lëkundje e Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave nga BE, këmbëngullja e partnerëve për reformën në drejtësi, politika e “non gradave’, etj., për ata, që duan dhe dinë edhe fare pak të lexojnë, paralajmëron fillimin e fundit edhe të mbretërimit të Lek-ut. Dhe bashkë me fundin e mbretërimit të Lek-ut nuk dihet sesi dhe sa mund të jenë të rënda pasojat për sistemin ekonomik, shoqëror dhe politik. Koha rrjedh kundër për keq. Rrënimi i sotëm i Euro-s nga Lek-u rrezikon të kthehet mallkimi shqiptar nesër.
Nuk duhet të bëjmë strucin e 97’, se paratë e piramidave janë të pafundme si uji i detit!
