Agjencia prestigjoze ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standard&Poor’s ka rritur vlerësimin për grupin bankar hungarez OTP, në “BBB/A-2” nga “BBB-/A-3”. Kjo u shoqërua me rritje të vlerësimit edhe për komponentë të tjerë të bankës.
Në argumentimin e rritjes së vlerësimit, S&P ndër të tjera vlerëson se OTP e ka zgjeruar më tej praninë e saj gjeografike jashtë vendit mëmë, duke ulur në 32% portofolin e kredive në Hungari, gjë që do të thotë më pak risqe të lidhura me vetë Hungarinë, sipas vlerësimit të ekspertëve të Standard&Poor’s.
Për shkak të kësaj, agjencia ndërkombëtare e ratingut vlerëson se kapitali i OTP dhe normat e likuiditetit janë mjaftueshëm të forta për të përballuar një skenar potencial stresi, edhe në rastin më ekstrem të falimentit të shtetit hungarez. Për këtë arsye, vlerësimi i OTP tani është edhe më i lartë sesa ai i borxhit sovran të Hungarisë, thekson S&P.
“Ky vlerësim i përmirësuar nga Standard and Poor’s, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit kreditor, pasqyron angazhimin e Grupit OTP ndaj rritjes së qëndrueshme dhe stabilitetit financiar. Grupi ynë bankar, i pranishëm në 11 vende vazhdon të punojë për të ofruar shërbime financiare të sigurta dhe të përshtatshme për klientët, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore,” – tha Péter Csányi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP, lidhur me përmirësimin e vlerësimit.
Ekspertët vlerësojnë se OTP ka reduktuar ekspozimin e saj ndaj rrezikut të vendit të Hungarisë në vitet e fundit, pas një sërë blerjesh jovendase. OTP bleu dhe integroi me sukses disa banka të BE-së dhe jo të BE-së. Më e rëndësishme ndër to ishte OTP Bank Slloveni (ish Nova Kreditna banka Maribor d.d.), banka e dytë më e madhe në Slloveni. Kjo zvogëloi pjesën e OTP-së në portofolin e huave në Hungari në 32% në fund të vitit 2024 nga mbi 40% që kishte qëndruar kjo vlerë në dekadën e fundit.
Standard&Poor’s parashikon gjithashtu që OTP do të vijojë zgjerimin e saj ndërkombëtar, gjë që mund të reduktojë më tej ndjeshmërinë dhe varësinë ndaj Hungarisë. /ekofin.al
