Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) përmes të dhënave tregon se për periudhën janar-korrik të këtij viti, nëpërmjet portalit e-Albania janë kryer 807 aplikime për marka tregtare, rreth 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe numri i patentave për shpikje të regjistruara pranë kësaj drejtorie, tregon për një rritje të konsiderueshme, ku numri total i tyre për periudhën janar-korrik është 410 patenta të regjistruara, 57.1% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Gjithashtu, janë regjistruar 334 kërkesa për shtyrje vlefshmërie të patentave nga Zyra Europiane e Patentave, 32% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e publikuara nga kjo drejtori për 7-mujorin, tregojnë tendencën në rritje të filluar që prej vitit të kaluar, kur i gjithë procesi i ekzaminimit nisi të administrohej “online”, nëpërmjet sistemit SAPI, që prej datës 31 korrik të vitit 2023. Sipas raportit vjetor të DPPI, gjatë gjithë vitit 2023 ishin 1311 aplikime për marka kombëtare dhe 2688 aplikime për marka ndërkombëtare.

