India nisi të mërkurën zyrtarisht Censusin e saj të 16-të dhe të tetin që nga pavarësia, me fillimin e fazës së parë të Censusit 2027. Procesi shënon një ndryshim historik, pasi për herë të parë regjistrimi do të kryhet në mënyrë dixhitale.
Operacioni masiv në të gjithë vendin do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë – Regjistrimi i Banesave dhe Censusi i Strehimit (HLO) – nis sot në disa shtete dhe territore të vendit. Për herë të parë, qytetarët do të kenë gjithashtu mundësinë të vetëregjistrohen përmes një portali online.
Në kuadër të një modernizimi të rëndësishëm teknologjik, regjistruesit do të mbledhin dhe dërgojnë të dhënat përmes aplikacioneve në telefonat inteligjentë. Gjithashtu është krijuar një portal vetëregjistrimi, i cili u lejon qytetarëve të plotësojnë online të dhënat e tyre përpara vizitës së regjistruesit. Si aplikacioni, ashtu edhe portali do të jenë të disponueshëm në 16 gjuhë, përfshirë hindishten dhe anglishten.
Personat që zgjedhin vetëregjistrimin mund të identifikohen duke përdorur numrin e telefonit celular, të plotësojnë të dhënat e kërkuara dhe të marrin një ID unike të vetëregjistrimit, e cila duhet t’i paraqitet regjistruesit gjatë verifikimit.
Faza e dytë, ajo e regjistrimit të popullsisë parashikohet të zhvillohet në shkurt 2027 dhe do të mbledhë informacion të detajuar mbi karakteristikat demografike dhe socio-ekonomike, arsimin, migracionin dhe fertilitetin. Gjatë kësaj faze do të kryhet gjithashtu regjistrimi sipas kastave.
Data e referencës për Censusin është 1 marsi 2027, ndërsa për zonat e mbuluara nga dëbora dhe ato ku regjistrimi zhvillohet në një periudhë tjetër, si Ladakh, pjesë të Jammu dhe Kashmir, Uttarakhand dhe Himachal Pradesh, data e referencës është 1 tetori 2026.
Qeveria ka miratuar një fond prej 117.18 miliardë rupish për zhvillimin e Censusit, i cili mbulon trajnimin, logjistikën, infrastrukturën e teknologjisë së informacionit dhe shpërblimet për personelin. Censusi do të përfshijë 36 shtete dhe territore të Unionit, mbi 7,000 nënqarqe, më shumë se 5,100 qytete me status ligjor, 4,580 qendra urbane të klasifikuara nga censusi dhe rreth 640 mijë fshatra. vlerësohet se në proces do të angazhohen deri në 1.4 milionë regjistrues.
