Qeveritë në Francë, Gjermani, Poloni, Holandë, Luksemburg dhe Belgjikë kanë nisur të vendosin në përdorim shërbime të brendshme komunikimi për zyrtarët, me qëllim shkëmbimin e informacionit të ndjeshëm pa përdorur aplikacionet e njohura të enkriptuara. Synimi është që stafi të largohet nga aplikacione si WhatsApp dhe Signal dhe të kalojë në alternativa vendase, të kontrolluara nga vetë shtetet. Edhe NATO ka aplikacionin e vet të komunikimit, ndërsa Komisioni Europian planifikon ta bëjë këtë kalim deri në fund të vitit.
Ky orientim drejt aplikacioneve të kontrolluara nga qeveritë është pjesë e përpjekjes së Europës për të gjetur alternativa ndaj teknologjisë amerikane, për shkak të frikës nga varësia strategjike ndaj Uashingtonit. WhatsApp është në pronësi të gjigantit amerikan Meta, ndërsa Signal menaxhohet nga një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA dhe një komunitet i madh zhvilluesish open-source.
Përpjekja për t’u shkëputur nga kompanitë amerikane reflekton gjithashtu ndërgjegjësimin në rritje për dobësitë e aplikacioneve të zakonshme në komunikimin e informacionit të ndjeshëm mes zyrtarëve. “Komunikimi ynë shpesh zhvillohet në platforma mbi të cilat nuk kemi kontroll. Në një botë ku teknologjia përdoret gjithnjë e më shumë si mjet pushteti, kjo përbën rrezik”, deklaroi ministrja digjitale e Holandës, Willemijn Aerdts.
Nga ana tjetër, drejtori i agjencisë belge për komunikime të sigurta, Brandon De Waele, theksoi se “e gjithë Europa po ndërgjegjësohet për sovranitetin… për ne bëhet fjalë për sovranitetin e të dhënave”.
WhatsApp dhe Signal janë përballur së fundmi edhe me sfida të sigurisë kibernetike. Muajin e kaluar, dhjetëra agjenci paralajmëruan se grupe hakerësh rusë po synonin zyrtarë politikë dhe qeveritarë përmes këtyre aplikacioneve me sulme phishing të sofistikuara. Rreziqet u bënë të dukshme edhe në Bruksel, ku Komisioni Europian u kërkoi disa zyrtarëve të lartë të mbyllnin një grup në Signal, ndërsa institucionet e BE-së u goditën nga një seri sulmesh kibernetike.
Belgjika është ndër vendet e fundit që ka prezantuar një aplikacion të brendshëm të sigurt, të quajtur BEAM, i cili përdoret për komunikime të ndjeshme, por jo të klasifikuara. Edhe pse ofron funksione të ngjashme me WhatsApp dhe Signal, aplikacioni operon nën kontrollin e qeverisë dhe kufizon komunikimin vetëm mes përdoruesve të autorizuar.
Ekspertët theksojnë se aplikacionet konsumatore nuk janë projektuar për përdorim institucional në shkallë të gjerë. Për organizata të mëdha, përdorimi i tyre konsiderohet i rrezikshëm, pasi mungojnë funksione të rëndësishme si kontrolli i aksesit dhe menaxhimi i metadata-ve mbi komunikimet.
Sipas autoriteteve belge, një mjedis i mbyllur komunikimi do të ndihmonte në shmangien e rasteve të spiunazhit si ato të fundit. Ndërkohë, organizatat për transparencë argumentojnë se kalimi në aplikacione të kontrolluara nga qeveritë është i vonuar, pasi përdorimi i aplikacioneve me enkriptim fund-më-fund dhe mesazhe që zhduken ka zhvendosur vendimmarrje të rëndësishme jashtë vëmendjes publike.
Debati u ndez edhe më shumë pas rastit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila u përball me një mocion mosbesimi (i pasuksesshëm), pjesërisht për shkak të mosbërjes publike të mesazheve me CEO-n e Pfizer, Albert Bourla, përpara një marrëveshjeje miliarda euro për vaksinat.
Sipas kompanive që zhvillojnë këto sisteme, urgjenca për zgjidhje të brendshme është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në presidencë dhe episodeve si shkëmbimi i planeve ushtarake në Signal nga zyrtarë amerikanë, apo sanksionet ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare që ndërprenë aksesin në email për një prokuror. Edhe ndërprerja e madhe e shërbimeve të Amazon Web Services në tetor nxori në pah varësinë e Europës nga infrastruktura amerikane.
Megjithatë, për disa ekspertë, kjo lëvizje është më shumë praktike sesa ideologjike: synon të mbyllë hendekun midis mënyrës se si duhet të zhvillohet komunikimi zyrtar dhe mënyrës se si ai zhvillohet realisht në praktikë./Përshtati nga Politico.eu, ekofin.al
