Zjarret shkatërruese që kanë përfshirë Evropën gjatë verës po zbulojnë një kërcënim të ri potencialisht vdekjeprurës: municione të pashpërthyera nga Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore.
Në muajt e fundit, flakët kanë djegur sipërfaqe të mëdha toke në Evropën Perëndimore, ndërsa kontinenti është përballur me temperatura përvëluese dhe thatësirë. Përveç zjarrit, ekipet e zjarrfikësve janë përballur edhe me rrezikun e predhave që shpërthejnë.
Shpërthime janë raportuar në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
“Ndryshimet klimatike tani po bëjnë punën e nxjerrjes në sipërfaqe dhe riaktivizimit të asaj që më parë ishte e qëndrueshme”, tha Sarah Njeri, studiuese e paqes dhe konflikteve në School of Oriental and African Studies në Londër.
Një zjarr pranë qytetit të Bordosë, në jugperëndim të Francës, ka zbuluar një sasi municionesh që besohet se i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë, në provincën Liège në lindje të Belgjikës, guvernatori lokal Hervé Jamar tha se shërbimet e emergjencës po përshtatin operacionet e tyre për të marrë parasysh municionet e groposura në zonat e përfshira nga zjarri. Sipas tij, kohët e fundit janë dëgjuar edhe “disa shpërthime sporadike”.
Liège është përballur me një zjarr veçanërisht të fortë në zonën High Fens, e cila shtrihet përtej kufirit edhe në Gjermani.
Në High Fens dhe zonat përreth u zhvillua Beteja e Ardeneve, një nga përplasjet më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore.
Forcat gjermane nisën një ofensivë të madhe kundër trupave aleate në rajon më 16 dhjetor 1944, duke arritur fillimisht disa suksese pasi i zunë në befasi forcat amerikane. Megjithatë, deri në fund të muajit ofensiva humbi vrullin, ndërsa mbërritën përforcimet aleate dhe burimet gjermane u pakësuan.
Edhe thatësirat në Evropë po nxjerrin në sipërfaqe mjete ushtarake dhe armë të mbetura nga lufta. Rënia e niveleve të lumenjve ka zbuluar anije luftarake gjermane, një motoçikletë të Wehrmacht-it dhe një bombë.
Christina Greene, studiuese në Universitetin e Arizonës, tha se për shkak të ndryshimeve klimatike, “trashëgimia e luftës vazhdon të rikthehet”.
“Po përjetojmë sërish pasojat e luftës dhe konfliktit në një mënyrë me të cilën, në disa vende, nuk na është dashur të përballemi prej shumë kohësh”, tha Greene./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
