Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, eksportet kanë përjetuar një tkurrje të ndjeshme. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor 2024, vlera e eksporteve të mallrave shënoi një ulje prej 14.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grupi kryesor që ka kontribuar në këtë ulje është “Tekstile dhe këpucë” me -5.4 pikë përqindje.
Tekstilet dhe këpucët përbëjnë grupin më të rëndësishëm në eksportet totale me një peshë prej 27.8%. Shifrat evidentojnë qartë se ky sektor ka treguar një tendencë rënëse për një periudhë të gjatë kohore.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 55.41 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023, vlera ishte 68.1 miliardë lekë. Pra, brenda një viti, eksportet kanë rënë me 23%.
Vlera më e lartë e eksporteve ka qenë në muajt shkurt dhe maj, ku u eksportuan përkatësisht 93.5 miliardë lekë dhe 93.7 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Edhe në vitin 2023, muaji maj shënon kulmin e eksporteve për këtë kategori.
Në vlera nominale, ndryshimet vjetore tregojnë se muaji mars ka shënuar rënien më të forte të eksporteve të tekstileve dhe këpucëve me 25%, ndjekur nga maji me 24.3%, dhe janari me 18.6%. Ndërsa gjatë muajve shkurt dhe qershor, eksportet kanë rënë me 15%.
Industria e fasonerisë po përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Gjatë periudhës janar-qershor 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 114 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti, këmbehet me 100.37 lekë, ose gati 12% më pak.
Rikujtojmë se qeveria për t’iu përgjigjur krizës së thelluar në sektorin e industrisë përpunuese fason krijoi një fond garancie sovrane prej 4 miliardë lekësh. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, ky sektor lehtësohet për blerjen e makinerive, automatizimin e linjave të prodhimit, si dhe krijimin e kushteve strukturore për të realizuar ciklin e plotë të prodhimit.
