Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur procedurat e prokurimit për dy faza të tjera të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, një prej akseve rrugore më të rëndësishme dhe më të ngarkuara në vend. Bëhet fjalë për fazën e katërt dhe të pestë të projektit, për të cilat janë parashikuar në total rreth 4.82 miliardë lekë, ose 53.45 milionë euro pa TVSH.
Sipas dokumenteve të tenderit, të konsultuara nga Ekofin.al, të dyja procedurat do të zhvillohen përmes procedurës së hapur, mbi kufirin e lartë monetar, me mjete elektronike.
Për fazën e katërt të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, fondi limit është përcaktuar në 2.32 miliardë lekë pa TVSH, ekuivalente me rreth 25.73 milionë euro.
Ndërkohë, për fazën e pestë, ARRSH ka vendosur në dispozicion një fond limit prej afro 2.5 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 27.72 milionë euro.
Sipas njoftimeve të kontratave, afati për realizimin e punimeve është 24 muaj për secilën fazë, ndërsa kompanitë e interesuara duhet të paraqesin ofertat e tyre deri më 23 dhjetor 2026, në orën 11:00.
Financimi i të dyja projekteve do të sigurohet nga Buxheti i Shtetit. Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se investimet janë përfshirë në planifikimin e shpenzimeve kapitale për periudhën 2026–2028.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës është një projekt strategjik për përmirësimin e lidhjes rrugore ndërmjet dy qyteteve më të mëdha të vendit, si dhe për lehtësimin e qarkullimit drejt portit të Durrësit, aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe zonave industriale e logjistike përgjatë korridorit.
Investimi synon të rrisë kapacitetin e kësaj infrastrukture, e cila përballon flukse të konsiderueshme automjetesh, përfshirë transportin e mallrave, lëvizjet e përditshme të qytetarëve dhe trafikun turistik.
Me hapjen e procedurave për fazat e katërt dhe të pestë, ARRSH avancon procesin e prokurimit për zgjerimin e këtij korridori rrugor.
Sipas dokumenteve të tenderit, përzgjedhja e kompanive fituese nuk do të mbështetet vetëm te çmimi më i ulët. Oferta ekonomike do të përbëjë 60% të vlerësimit, ndërsa pjesa tjetër do të lidhet me metodologjinë e punimeve, organizimin dhe stafin e kompanisë, masat për reduktimin e ndikimit në mjedis dhe periudhën e garancisë e të mirëmbajtjes.
ARRSH ka përcaktuar gjithashtu kritere për përvojën e mëparshme të operatorëve ekonomikë dhe kapacitetet e tyre profesionale, duke synuar përzgjedhjen e kompanive që disponojnë eksperiencën dhe burimet e nevojshme për realizimin e investimit. /ekofin.al
