Vetëm 23% e institucioneve financiare kanë kaluar në përdorimin operacional të inteligjencës artificiale me agjentë autonomë, ndërsa pjesa më e madhe vijon të jetë në fazën e testimit ose planifikimit. Megjithatë, viti 2027 pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme për sektorin bankar, me teknologjinë që do të ndryshojë mënyrën e ofrimit të shërbimeve, administrimin e parave dhe marrëdhënien e bankave me klientët.
Këto janë disa nga përfundimet kryesore të raportit ndërkombëtar 2027 Banking Predictions Report, të publikuar nga Backbase, i cili paraqet 10 parashikime për zhvillimet që pritet të karakterizojnë industrinë bankare gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas të dhënave të cituara në raport nga Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF) dhe EY, 34% e institucioneve financiare po testojnë inteligjencën artificiale me agjentë autonomë, ndërsa 26% ndodhen ende në fazën e planifikimit. Për më tepër, vetëm 30% e institucioneve tradicionale kanë arritur faza të avancuara të përdorimit të inteligjencës artificiale, kundrejt 47% të kompanive fintech.
Raporti parashikon se bankat do të zhvendosin fokusin nga eksperimentet teknologjike drejt përdorimit të inteligjencës artificiale në operacionet e përditshme, duke automatizuar procese, përshpejtuar shërbimet dhe ulur kostot administrative.
Nga aplikacionet bankare te komunikimi i drejtpërdrejtë me inteligjencën artificiale
Parashikimi kryesor për vitin 2027 lidhet me mënyrën se si qytetarët do të përdorin shërbimet bankare.
Sipas raportit, aplikacionet tradicionale, ku klientët duhet të kërkojnë shërbimet përmes menuve dhe formularëve, pritet t’u lënë gradualisht hapësirë ndërfaqeve bashkëbiseduese. Klientët do të mund t’i kërkojnë bankës, përmes një bisede, të kryejë pagesa, të organizojë kursimet, të analizojë shpenzimet apo të identifikojë produkte financiare që u përshtaten nevojave të tyre.
Ky ndryshim mbështetet edhe në prirjet e konsumatorëve. Sipas të dhënave të EY të përfshira në raport, 14% e konsumatorëve në nivel global e kanë lejuar tashmë inteligjencën artificiale të zgjedhë ofruesit e shërbimeve financiare për ta, ndërsa 11% e kanë përdorur për administrimin e financave personale me pak ose aspak ndërhyrje njerëzore.
Në nëntë vende evropiane, 40% e klientëve të bankave përdorin ose kanë gjasa të përdorin këshilla financiare nga inteligjenca artificiale, ndërsa 38% të tjerë janë të hapur ndaj mundësisë që agjentët e saj të kryejnë transaksione në emër të tyre.
Për bankat, kjo krijon mundësi të reja për përmirësimin e shërbimeve, por edhe konkurrencë nga platformat e jashtme teknologjike, të cilat mund të ndërmjetësojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënien me klientët.
Inteligjenca artificiale mund të ndryshojë edhe financimin e bizneseve
Raporti parashikon ndryshime të rëndësishme edhe për bizneset e vogla dhe të mesme.
Bankat pritet të integrojnë në platformat e tyre shërbime që sot ofrohen veçmas, si faturimi, pagesat e punonjësve, administrimi i taksave dhe parashikimi i fluksit të parasë.
Përmes inteligjencës artificiale, ato mund të analizojnë në kohë reale situatën financiare të një biznesi, të identifikojnë paraprakisht mungesat e likuiditetit dhe të ofrojnë financim në momentin kur lind nevoja.
Kjo do të mundësonte kalimin nga proceset tradicionale të aplikimit dhe shqyrtimit të kredive drejt një modeli më të shpejtë financimi, të mbështetur në të dhënat e përditshme të aktivitetit ekonomik.
Fatbardha Rino: Bankat duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo vendim të inteligjencës artificiale
Në raportin ndërkombëtar është përfshirë edhe Fatbardha Rino, themeluese dhe drejtuese ekzekutive e Jet Bank, e cila e konsideron inteligjencën artificiale si zhvillimin më të rëndësishëm që do të ndikojë sektorin bankar në vitin 2027.
“Viti 2027 do të sjellë një ndryshim të madh në lidhje me inteligjencën artificiale: sa me përgjegjësi e përdorim dhe deri në çfarë mase. Për mua, inteligjenca artificiale është prirja më e rëndësishme. Në Jet Bank, synojmë ta zgjerojmë përdorimin e saj për t’i bërë shërbimet bankare më të shpejta, më të thjeshta dhe më të përballueshme”, shprehet Rino.
Ajo thekson se zgjerimi i përdorimit të teknologjisë duhet të shoqërohet me përgjegjësi të qartë institucionale për vendimet që merren.
“Ndërsa e zgjerojmë përdorimin, përgjegjësia duhet të mbetet e qartë: ne jemi përgjegjës për çdo vendim dhe çdo rezultat për klientin. Besimi, siguria dhe disiplina rregullatore duhet të integrohen që në fillim, nga vetë banka”, thekson drejtuesja e Jet Bank.
Deklarata e saj lidhet me një nga shqetësimet kryesore të raportit: kontrollin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të inteligjencës artificiale që mund të ndërmarrin veprime në mënyrë autonome.
Sipas të dhënave të Deloitte të cituara në dokument, vetëm 21% e kompanive kanë një model të konsoliduar për qeverisjen e agjentëve autonomë. Kjo nënkupton se zgjerimi i përdorimit të teknologjisë po ecën më shpejt sesa zhvillimi i mekanizmave për kontrollin dhe administrimin e rreziqeve të saj.
Investimet në inteligjencën artificiale, bankat do të kërkojnë rezultate konkrete
Një tjetër zhvillim që pritet të karakterizojë vitin 2027 është rritja e presionit mbi bankat për të justifikuar investimet në teknologji.
Sipas raportit, të gjitha institucionet financiare të përfshira në një anketim të IIF dhe EY planifikojnë të rrisin investimet në inteligjencën artificiale, ndërsa 36% e bankave me rëndësi sistemike globale presin që buxhetet për këtë teknologji të më shumë se dyfishohen.
Megjithatë, përfitimet financiare mbeten ende të vështira për t’u matur. Nga rastet e përdorimit të inteligjencës artificiale të njoftuara nga 50 bankat më të mëdha në botë, vetëm 30% shoqëroheshin me tregues të ndikimit të tyre.
Për këtë arsye, raporti parashikon se gjatë vitit 2027 drejtuesit e bankave do të kërkojnë gjithnjë e më shumë prova konkrete mbi uljen e kostove, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e shërbimeve përpara miratimit të investimeve të reja.
Në të njëjtën kohë, automatizimi pritet të ndryshojë organizimin e punës në banka. Sistemet inteligjente do të marrin përsipër një pjesë të proceseve rutinë, ndërsa punonjësit do të përqendrohen më shumë te vendimet që kërkojnë gjykim profesional dhe përgjegjësi njerëzore.
Sipas Backbase, diferenca mes bankave që arrijnë ta integrojnë inteligjencën artificiale në veprimtarinë e tyre dhe atyre që mbeten në fazën e eksperimenteve pritet të bëhet gjithnjë e më e dukshme gjatë vitit 2027, si në kostot e operimit, ashtu edhe në cilësinë e shërbimeve për klientët. /ekofin.al
