Bizneset e sektorit ushqimor rrezikojnë penalitete më të larta për shkeljet e higjienës, gjurmueshmërisë dhe vetëkontrollit të produkteve, sipas projektligjit të ri “Për ushqimin”, i cili është në konsultim publik.
Gjobat për mosrespektimin e kushteve të higjienës propozohet të rriten nga 300–500 mijë lekë aktualisht, në 400–600 mijë lekë, ndërsa për shkeljet e gjurmueshmërisë masa e penalitetit rritet nga 100–200 mijë lekë në 150–250 mijë lekë.
Projektligji, që synon të zëvendësojë ligjin e vitit 2008, rishikon sistemin e kundërvajtjeve administrative për subjektet që prodhojnë, importojnë, përpunojnë ose tregtojnë produkte ushqimore, duke përcaktuar penalitete të diferencuara sipas natyrës së shkeljeve.
Megjithatë, gjobat më të larta nuk ndryshojnë. Për importimin e ushqimeve në kundërshtim me kërkesat ligjore, penaliteti mbetet nga 1 milion deri në 2 milionë lekë, po aq sa parashikon edhe legjislacioni aktual.
Rriten penalitetet për higjienën dhe ushqimet e pasigurta
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me shkeljet e kushteve të higjienës. Për bizneset që nuk respektojnë kërkesat gjatë prodhimit, përpunimit ose shpërndarjes së ushqimeve, gjoba minimale rritet me 100 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale po ashtu me 100 mijë lekë, duke arritur në 600 mijë lekë.
Edhe për vendosjen në treg të ushqimeve të pasigurta, që janë të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum njerëzor, ndryshon kufiri minimal i penalitetit. Nga 300 mijë lekë që parashikohet aktualisht, ai propozohet të rritet në 400 mijë lekë, ndërsa gjoba maksimale mbetet 500 mijë lekë.
Kjo krijon një kontrast në sistemin e sanksioneve, pasi shkeljet e kërkesave për importin e ushqimeve mbeten të ndëshkueshme me gjoba maksimale katër herë më të larta sesa vendosja në treg e ushqimeve të pasigurta.
Për ushqimet e pasigurta që përdoren për ushqyerjen e kafshëve, gjobat rriten nga 100–200 mijë lekë në 200–300 mijë lekë.
Ndryshime propozohen edhe për bizneset që nuk zbatojnë kërkesat e vetëkontrollit. Penalitetet për këto shkelje do të jenë nga 150 mijë deri në 250 mijë lekë, kundrejt intervalit aktual prej 100–200 mijë lekësh.
Etiketimi dhe gjurmueshmëria, më të ndëshkueshme
Projektligji rrit edhe penalitetet për shkeljet e etiketimit të ushqimeve. Gjoba minimale kalon nga 50 mijë në 80 mijë lekë, ndërsa kufiri maksimal mbetet i pandryshuar në 100 mijë lekë.
Për mosgarantimin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, gjobat propozohen nga 150 mijë deri në 250 mijë lekë. Ky detyrim lidhet me aftësinë e bizneseve për të identifikuar furnitorët dhe subjektet e tjera të cilave u kanë shpërndarë produktet, në mënyrë që të jetë i mundur gjurmimi i tyre përgjatë zinxhirit ushqimor.
Ndërkohë, për shkeljet që lidhen me regjistrimin e stabilimenteve ushqimore parashikohen gjoba nga 1 milion deri në 2 milionë lekë, interval që është i njëjtë me penalitetet e ligjit aktual për ushtrimin e veprimtarisë në stabilimente të paregjistruara.
Për eksportimin ose rieksportimin e produkteve ushqimore në kundërshtim me kërkesat ligjore, projektligji parashikon gjoba nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë.
Kur biznesit mund t’i pezullohet veprimtaria?
Përtej penaliteteve financiare, projektligji përcakton se kur një ushqim i vendosur në treg është vërtetuar se ka shkaktuar dëm në shëndetin e njeriut ose mund të përbëjë rrezik potencial për jetën, ndaj operatorit merret masa e pezullimit ose tërheqjes së regjistrimit apo miratimit të stabilimentit.
Edhe legjislacioni aktual parashikon masa që lidhen me heqjen e licencës, por projektligji i lidh ato me sistemin e regjistrimit dhe miratimit të stabilimenteve.
Gjobat do të vendosen nga autoritetet kompetente, sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, ndërsa të ardhurat e mbledhura do të derdhen në buxhetin e shtetit. /ekofin.al
