Qeveria synon të nxisë financimin privat të kulturës, artit dhe sportit përmes një skeme të re lehtësish fiskale, e cila u mundëson bizneseve të zbresin nga detyrimi tatimor një shumë deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar një vit më parë. Përfitimi maksimal do të jetë 30 milionë lekë në vit për çdo sponsor, ndërsa tavani kombëtar i skemës është përcaktuar në 2 miliardë lekë në vit.
Këto janë disa nga risitë kryesore të projektligjit të ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, të prezantuar për shqyrtim në komisionin parlamentar nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Nisma synon të zëvendësojë kuadrin aktual ligjor të vitit 1994, duke krijuar një mekanizëm të ri për mobilizimin e kapitalit privat në financimin e aktiviteteve me interes publik.
Sipas argumenteve të paraqitura në komision, legjislacioni ekzistues ka kufizuar potencialin e sponsorizimeve për shkak të lehtësive të ulëta fiskale, ndërsa zhvillimi i turizmit, kulturës dhe sportit ka krijuar nevoja gjithnjë e më të mëdha për financime.
Aktualisht, kufiri i lehtësimit fiskal për sponsorizimet është 5% e tatimit mbi fitimin, ndërsa projektligji propozon një zgjerim të konsiderueshëm të incentivave.
Si do të funksionojë skema e re e sponsorizimeve?
Sipas projektligjit, subjektet që financojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport do të kenë mundësi të përfitojnë një zbritje fiskale deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës.
Megjithatë, për të kontrolluar efektin mbi të ardhurat buxhetore, parashikohen dy kufizime kryesore.
Së pari, asnjë sponsor nuk mund të përfitojë më shumë se 30 milionë lekë në vit nga kjo lehtësi. Së dyti, vlera totale e lehtësive fiskale në nivel kombëtar nuk mund të tejkalojë 2 miliardë lekë në vit.
Për shembull, një kompani që ka paguar 50 milionë lekë tatim mbi fitimin në vitin paraardhës mund të përfitojë një zbritje deri në 15 milionë lekë, nëse përmbush kushtet ligjore dhe kryen sponsorizime të pranueshme sipas skemës.
Ndërsa një kompani që ka paguar 200 milionë lekë tatim mbi fitimin, megjithëse 30% e kësaj shume përfaqëson 60 milionë lekë, nuk mund të përfitojë më shumë se tavani individual prej 30 milionë lekësh.
Një tjetër risi është mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët shqiptarë që marrin pjesë në aktivitete ndërkombëtare, duke financuar përgatitjen, pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre.
Sipas ministrisë, mekanizmi synon gjithashtu të nxisë formalizimin e ekonomisë, pasi përfitimi nga lehtësitë fiskale lidhet me tatimin mbi fitimin e deklaruar dhe të paguar nga subjektet.
Sporti, vetëm 50 milionë lekë sponsorizime private në vitin 2024
Një nga argumentet kryesore të qeverisë për ndryshimin e ligjit lidhet me nivelin e ulët të financimeve private në sport.
Sipas të dhënave të prezantuara në komision, financimi total i sportit në Shqipëri gjatë vitit 2024 ishte rreth 448 milionë lekë, nga të cilat vetëm 50 milionë lekë, ose 11,2%, erdhën nga sponsorizimet private.
Ministria vlerëson se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në kapacitetet financiare të klubeve, cilësinë e kampionateve, zhvillimin e akademive dhe kushtet ekonomike të sportistëve.
Në relacionin e prezantuar theksohet se paga orientuese e një futbollisti në Kategorinë Superiore lëviz rreth 100–120 mijë lekë në muaj, ndërsa në kampionatet e zhvilluara evropiane niveli i pagave është shumë më i lartë.
Përmes skemës së re, synohet të rritet pjesëmarrja e biznesit në financimin e klubeve sportive, federatave, akademive dhe sportistëve individualë.
Kultura, synohet rritja e kontributit në ekonomi deri në 1,25% të PBB-së
Projektligji synon të krijojë mundësi të reja financimi edhe për sektorin kulturor dhe artistik.
Sipas të dhënave të paraqitura nga ministria, buxheti i vitit 2026 për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore parashikohet në rreth 4,8 miliardë lekë, ekuivalent me afërsisht 2.030 lekë për banor.
Ndërkohë, Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030 përcakton objektivin për rritjen e kontributit të sektorit kulturor në ekonomi, nga rreth 0,4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto aktualisht, në 1–1,25% të PBB-së.
Sipas qeverisë, arritja e këtij objektivi kërkon një zgjerim të konsiderueshëm të financimeve private, përtej mbështetjes tradicionale nga buxheti i shtetit.
Lehtësitë fiskale synojnë të nxisin bizneset të financojnë festivale, produksione artistike, shfaqje, koncerte, projekte kulturore dhe aktivitete të tjera që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Zgjerohet lista e sektorëve që mund të përfitojnë
Projektligji nuk kufizohet vetëm te kultura dhe sporti, por zgjeron fushën e aktiviteteve me interes publik që mund të mbështeten përmes donacioneve dhe sponsorizimeve.
Në këtë kategori përfshihen arsimi, kërkimi shkencor, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit, trashëgimia kulturore, ndihma humanitare dhe zhvillimi social.
Sipas argumenteve të ministrisë, financimi i këtyre aktiviteteve mund të krijojë përfitime ekonomike dhe shoqërore, përfshirë përmirësimin e shëndetit publik, mbështetjen e komuniteteve dhe rritjen e mundësive për përfshirjen e të rinjve në aktivitete sportive dhe kulturore.
Një tjetër objektiv është ulja e varësisë së organizatorëve të aktiviteteve nga financimet e drejtpërdrejta të buxhetit të shtetit.
Qeveria argumenton se ngjarjet e mëdha kulturore dhe sportive gjenerojnë të ardhura për hotelet, restorantet, transportin, tregtinë dhe bizneset e tjera lokale.
Në këtë kontekst, gjatë prezantimit u sollën si shembuj organizimi i tri etapave të Giro d’Italia në Shqipëri në vitin 2025, si dhe koncerti i YE në Tiranë gjatë vitit 2026, për të ilustruar ndikimin e aktiviteteve ndërkombëtare në turizëm dhe konsum.
Regjistër elektronik për çdo kontratë sponsorizimi
Krahas incentivave fiskale, projektligji parashikon forcimin e kontrollit dhe transparencës mbi përdorimin e fondeve.
Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Sponsorizimeve, i cili do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe do të integrohet me platformën e-Albania.
Në këtë regjistër do të pasqyrohen kontratat dhe transaksionet e sponsorizimeve, duke mundësuar gjurmimin e financimeve dhe kontrollin e përfitimeve fiskale.
Sipas projektligjit, të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të duhet të realizohen përmes transfertave bankare, duke përjashtuar pagesat me para në dorë.
Kontratat e sponsorizimit duhet të regjistrohen brenda 60 ditëve, ndërsa sponsori dhe përfituesi do të kenë detyrimin të raportojnë mbi përdorimin e fondeve dhe realizimin e projekteve të financuara.
Për institucionet publike që përfitojnë donacione ose sponsorizime, vendoset detyrimi për publikimin e kontratave brenda 10 ditëve.
Gjithashtu, për donacionet dhe sponsorizimet nga burime të huaja, në rastet e përcaktuara nga ligji, institucionet publike duhet të marrin miratim paraprak me shkrim.
Ndalohen donacionet anonime, kufizime për duhanin, alkoolin dhe lojërat e fatit
Kuadri i ri ligjor parashikon edhe kufizime për të shmangur konfliktet e interesit dhe financimet që mund të cenojnë interesin publik.
Projektligji ndalon donacionet anonime dhe vendos rregulla të posaçme për institucionet që, për shkak të funksioneve të tyre, duhet të garantojnë pavarësinë dhe paanshmërinë.
Kufizime parashikohen edhe për subjektet që operojnë në sektorët e duhanit, alkoolit dhe lojërave të fatit.
Sipas ministrisë, këto masa synojnë të garantojnë që lehtësitë fiskale të mos përdoren për qëllime që bien ndesh me interesin publik dhe mbrojtjen e shëndetit. /ekofin.al
