Përballë zhvlerësimit të fortë të euros dhe presionit gjithnjë e më të madh që kursi i këmbimit po ushtron mbi industrinë prodhuese dhe eksportuesit, shqetësimi nuk lidhet më vetëm me humbjen e marzheve të fitimit. Rreziku po zhvendoset te vetë qëndrueshmëria e ndërmarrjeve, ruajtja e vendeve të punës dhe kapaciteteve prodhuese, ndërsa bizneset që sigurojnë të ardhurat në euro dhe përballojnë një pjesë të madhe të kostove në lekë po shohin të ardhurat e tyre të tkurren nga kursi.
Për të frenuar atë që e konsideron një “hemorragji” të sektorëve prodhues dhe eksportues, kryetari i Manifaktura Shqiptare, Florian Zekja, në një prononcim për ekofin.al, kërkon kalimin nga konstatimi i problemit te ndërhyrjet konkrete. Propozimi i tij mbështetet në gjashtë shtylla, që shkojnë nga formalizimi i qarkullimit të euros dhe mbështetja e targetuar për manifakturën, te investimet në teknologji, ulja e kostove të lëndëve të para, fuqizimi i prodhimit vendas dhe një diplomaci ekonomike shumë më aktive në mbështetje të eksporteve shqiptare.
Zekja: Gjashtë shtylla për të ndalur hemorragjinë
E para: formalizimi i qarkullimit të euros. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, sipas tij, duhet të forcojnë monitorimin e qarkullimit valutor dhe të kanalizojnë më shumë transaksione përmes institucioneve të licencuara. Qëllimi është transparencë më e madhe dhe një panoramë më reale e flukseve valutore.
E dyta: mbështetje e targetuar për Manifakturën dhe eksportuesit. Ai propozon mekanizma të përkohshëm që të kompensojnë një pjesë të humbjeve të shkaktuara nga ndryshimi i kursit, por me një kusht: mbështetja të lidhet me ruajtjen e vendeve të punës, eksporteve dhe kapaciteteve prodhuese.
E treta: teknologji, automatizim dhe digjitalizim. Grantet dhe garancitë shtetërore duhet të përdoren për modernizimin e ndërmarrjeve, investimet dhe kapitalin qarkullues.
E katërta: rishikim i tarifave doganore për lëndët e para, veçanërisht për ato që nuk prodhohen në Shqipëri, me synim uljen e kostove të prodhimit.
E pesta: forcimi i prodhimit vendas, përmes prokurimeve publike, standardizimit, certifikimit, promovimit të origjinës shqiptare dhe krijimit të zinxhirëve vendas të furnizimit.
E gjashta: eksportet duhet të shoqërohen me një diplomaci ekonomike aktive. Zekja kërkon që AIDA, përfaqësitë diplomatike dhe atashetë ekonomikë të ndërtojnë një program të qëndrueshëm promovimi, me panaire, takime B2B dhe identifikim partnerësh. /ekofin.al
