Zbulohet në Tiranë një skemë e pastrimit të 11 mln eurove nga shoqëri fiktive në Shqipëri drejt Kanadasë. Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve finalizoi një fazë të rëndësishme të hetimit disa mujor në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare (FIU), për identifikimin e një grupi personash, të cilët në harkun kohor 2021-2022 kishin arritur të pastronin këtë shumë parash.
Sipas njoftimit zyrtar, në fillim të muajit dhjetor 2024 aktet e mësipërme hetimore u referuan pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale të “Fshehje të ardhurash” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Autoritetet kanë ushtuar kontrolle në vende të ndryshme në Tiranë dhe sekuestruan një mori provash materiale me interes për hetimin si njësi kompjuterike, telefona celularë, akte të shumta shkresore, etj.
Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetas shqiptarë mbi dyshimet se kanë kryer veprat penale të mësipërme dhe po punohet në drejtim të identifikimit të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Hetimet e deritanishme kanë provuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare, duke përdorur kompani guack në shtetet e parajsave fiskale, si Qipro, Gibraltar, Maltë etj, para’ që transferoheshin në Shqipëri në shoqëri të krijuara në mënyre fiktive këtu, dhe më pas transferoheshin në shtetin Kanadez.
Për këtë operacion Drejtoria e Hetimit Tatimor ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Tiranë, Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.