Ashtu siç pritej, interesat maksimale të kredive, sidomos të atyre deri në 200 mijë lekë kanë shënuar rënie të mëtejshme. Banka e Shqipërisë për këto kategori kredish ndërmori ndryshime rregullatore që hynë në fuqi në fillim të vitit, duke sjellë një rënie të fortë të Normës Efektive Maksimale të Interesit (NEI).
Tani, me publikimin e normave për periudhën korrik-dhjetor 2025 nga Banka e Shqipërisë, për kreditë deri në 200 mijë lekë, tavani i NEI-t maksimal do të jetë 62.2%, nga 70.9% që ishte në gjashtëmujorin e parë.
Rregulla të reja për llogaritjen e interesit
Sipas rregullores së re, norma maksimale për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë llogaritet si mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit të dhënë në gjashtëmujorin e kaluar, pa shtesën prej një të tretës, siç ishte deri në dhjetor 2024. Ndërkohë, për kreditë e tjera mbi 200 mijë, NEI maksimal llogaritet duke i shtuar një të tretën e mesatares së normës së interesit të gjashtëmujorit të kaluar.
Për këtë arsye, normat e interesit në këto fasha kanë lëvizur më pak. Kështu, për kreditë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, NEI maksimal ka zbritur nga 36.55% në 35.21%;
Për overdraftet në këtë grup, norma ka shënuar një rënie thuajse të papërfillshme në 18.41%, nga 18.5% më parë;
Ndërkohë që në shumicën e linjave të kredive, normat e interesit kanë shënuar rënie, kreditë nga 600,001 deri në 2 milionë lekë bëjnë përjashtim, pasi këtu kemi rritje të lehtë të NEI-së nga 14.67% në 14.93%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kreditë në linjën 2-10 milionë lekë që janë rritur në 12.02% nga 11.84% që ishin në 6-mujorin e mëparshëm. /Ekofin.al
