Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë javë dhënien e licencës për ushtrimin e veprimtarisë bankare dhe financiare për “Banka Jet” sh.a., duke i hapur rrugë hyrjes së një aktori të ri në tregun bankar shqiptar.
Vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare autorizon Bankën të ushtrojë një gamë të plotë shërbimesh bankare dhe financiare në vend.
Banka e re do të duhet të njoftojë zyrtarisht Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për datën e fillimit të aktivitetit, ndërsa zbatimi i vendimit do të ndiqet nga strukturat përkatëse të bankës qendrore, përfshirë Departamentin e Mbikëqyrjes, atë të Sistemeve të Pagesave dhe Departamentin e Operacioneve Monetare.
Sipas shtojcës bashkëlidhur vendimit, “Banka Jet” sh.a. licencohet për ushtrimin e këtyre veprimtarive bankare dhe financiare:
a) Pranimi i depozitave në para dhe i fondeve të ripagueshme nga publiku;
b) Të gjitha format e kredidhënies, duke përfshirë edhe kredinë konsumatore dhe hipotekare;
c) Emetimin dhe administrimin e instrumenteve të pagesës (të tilla si: kartat e kreditit dhe të debitit, çeqet e udhëtarit dhe çeqet bankare, kartat e pagesës dhe pagesat me celular) etj., përfshirë emetimin e parasë elektronike;
d) Shërbimet e pagesave duke përfshirë:
i. Shërbimet që mundësojnë depozitimin e parave fizike në një llogari pagese, si dhe të gjitha veprimet e nevojshme për funksionimin e një llogarie pagese;
ii. Shërbimet që mundësojnë tërheqjen e parave fizike nga një llogari pagese, si dhe të gjitha veprimet e nevojshme për funksionimin e një llogarie pagese;
iii. Ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, duke përfshirë transferimet e fondeve në një llogari pagesash të çelur pranë ofruesit të shërbimit të pagesave të përdoruesit ose pranë një ofruesi tjetër të shërbimit të pagesave:
• ekzekutimi i debitimeve direkte, duke përfshirë dhe debitimet direkte që bëhen vetëm një herë;
• ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, përmes një karte pagese ose nga një pajisje e ngjashme;
• ekzekutimi i transfertave të kreditit, duke përfshirë pagesat periodike.
iv. Ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, ku fondet janë të mbuluara nga një linjë kredie për një përdorues të shërbimit të pagesave:
• ekzekutimi i debitimeve direkte, duke përfshirë debitimet direkte që bëhen vetëm një herë;
• ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, përmes një karte pagese ose nga një pajisje e ngjashme;
• ekzekutimi i transfertave të kreditit, duke përfshirë pagesat periodike.
v. Emetimi i një instrumenti pagese dhe/ose pranimi i transaksioneve të pagesave;
vi. Dërgesat e parave;
vii. Shërbimi i inicimit të pagesës;
viii. Shërbimi i informimit të llogarisë;
e) Tregtimin për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe, si më poshtë:
i. Instrumente të tregut të parasë (çeqe, dëftesa, certifikata të depozitave etj.);
ii. Këmbim valutor.
Hyrja e një banke të re në treg pritet të rrisë konkurrencën në sektorin financiar, të diversifikojë ofertën për klientët dhe të shtojë presionin për përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të kreditimit në vend. Në një kohë kur sistemi bankar shqiptar ka shfaqur stabilitet dhe rritje të aktivitetit kreditues, licencimi i “Banka Jet” sh.a. përbën një zhvillim të rëndësishëm në dinamikën e tregut financiar. /ekofin.al

