Yield-et e obligacioneve 7 vjeçare pësuan një rënie të ndjeshme në ankandin e kësaj jave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform dhe kuponi i këtyre instrumenteve shënoi nivelin 6%, ndërkohë që në ankandin e mëparshëm, në dhjetor të vitit të kaluar, yield-i mesatar kishte qenë 7.98% ose gati dy pikë përqindje më i lartë.
Kuponi i obligacionit rezultoi madje ndjeshëm më i ulët se kuponi indikativ prej 6.5%, i paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Pjesëmarrja e investitorëve në ankand ishte mjaft e lartë, me një shumë totale të kërkuar prej gati 5.3 miliardë lekësh, nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e obligacioneve të nxjerra në shitje nga (MFE).
Duke parë pjesëmarrjen e lartë dhe yield-et favorshme të kërkuara, MFE e rriti shumën e pranuar të ofertave me 15%, për një vlerë përfundimtare prej rreth 1.73 miliardë lekësh.
Në dy muajt e fundit, yield-et e bonove dhe obligacioneve po shënojnë një tendencë të shpejtë në rënie, duke korrigjuar pjesërisht rritjen e fortë që shënuan në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor.
Kjo dëshmon se tregu paraqitet më i stabilizuar, ndërsa pasiguria e investitorëve, e lidhur me pritjet për inflacionin dhe normat e interesit, është reduktuar ndjeshëm. Yield-et e obligacioneve 7-vjeçare kanë rënë pranë një niveli ku, vetëm dy muaj më parë, ndodheshin yield-et e bonove 12 mujore.
Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në muajt e fundit duket se ka kontribuar në këtë tendencë korrektuese dhe në ngushtimin e hendekut mes rritjes së normës bazë dhe rritjes faktike të yield-eve në tregun e brendshëm financiar.
Në mbledhjet e muajve dhjetor dhe shkurt, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.
Kjo vendimmarrje është argumentuar me ngadalësimin e inflacionit në muajt e fundit të vitit të kaluar, por besohet se është influencuar në një masë të konsiderueshme edhe nga nevoja për të stabilizuar normat e interesit në tregun e brendshëm financiar dhe veçanërisht yield-et, që kishin shënuar një rritje shumë të fortë dhe më të lartë se rritja e normës bazë të interesit.
Në muajt e fundit, pjesëmarrja në ankande apo konkurrenca mes investitorëve për të blerë bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare është rritur ndjeshëm. Kjo mund të jetë ndikuar ndjeshëm nga reduktimi i pasigurisë mes investitorëve të specializuar, por në një masë më të vogël edhe nga rritja e pjesëmarrjes së individëve.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kreditimi për sektorin privat ka shënuar një ngadalësim të ndjeshëm, edhe për shkak të rritjes së normave të interesit. Në këto kushte, bankat tregtare, që janë edhe financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm publik, mund të kenë stimuj gjithnjë e më të larta për të rritur investimet në insturmentet e borxhit të qeverisë. /Monitor