Yield-et e bonove të thesarit u rritën përsëri në ankandin e fundit të muajit janar dhe arritën nivelet më të larta që prej majit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë yield-i mesatar i ponderuar arriti në 3.6, nga 3.44% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Rritja e yield-eve në ankandin e fundit duket të jetë ndikuar nga kërkesa e lartë e qeverisë për financim në pjesën e parë të këtij viti dhe nga rënia e pjesëmarrjes në ankande.
Nga 7 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa totale në vlerën e 5.6 miliardë lekëve. Përfundimisht, Ministria e Financave pranoi kërkesa për më pak se 5.1 miliardë lekë.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar për tremujorin e parë 2024 do të ketë vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.
Muajt me vlerën më të lartë të emetimeve të reja do të jenë janari dhe shkurti. Në janar dhe shkurt, MFE parashikon të realizojë pothuajse 30% të volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024.
Ankandet e para të këtij viti kanë konfirmuar parashikimet për një zhvendosje të lehtë në rritje të yield-eve, për shkak të kërkesës më të lartë të qeverisë për hua në tregun e brendshëm, por në vazhdimësi rritja mund të vijë edhe si rezultat i lëvizjeve të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
Norma bazë e interesit në Shqipëri është aktualisht në nivelin 3.25%, ndërkohë që në Eurozonë ky tregues është aktualisht në nivelin 4.5%. Mbështetur në paralajmërimet e tremujorit të fundit 2023, pritshmëritë janë që Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej normën bazë të interesit gjatë këtij viti, me qëllim uljen e inflacionit drejt objektivit. Rënia e inflacionit u frenua në tremujorin IV 2023 ky tregues e mbylli vitin e kaluar në nivelin 4%.
Vendimet e Bankës së Shqipërisë do të kenë një ndikim të rëndësishëm në trajektoren e yield-eve në muajt e ardhshëm, sidomos për instrumentet me afate më të shkurtra maturimi. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të mblidhet më datë 7 shkurt, me qëllim diskutimin e raportit tremujor të politikës monetare dhe vendimmarrjen për normat e interesit.
Rritja e mundshme e normës bazë të interesit pritet të sjellë kthime më të larta nga investimi në bonot e thesarit dhe në depozita bankare, por nga ana tjetër do të ndikojë edhe në rritjen e normave të interesit të kredisë në Lekë.
