Në gjysmën e parë të vitit 2024, shumë biznese në Shqipëri janë përpjekur të mbulojnë shpenzimet e huasë duke rritur çmimet e produkteve. Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, rreth 39% e bizneseve kanë zgjedhur të rrisin çmimet e produkteve për të përballuar rritjen e kostos së shërbimit të huasë. Po ashtu, 34% e bizneseve kanë ulur shpenzimet e tyre dhe 22% kanë përdorur rezerva për të kompensuar këtë ngarkesë financiare.
Në përgjithësi, rreth 77% e bizneseve kanë raportuar se pagesa e huasë përbën deri në 20% të të ardhurave të tyre. Sidoqoftë, bizneset e vogla dhe ato të mëdha janë ato që ndjejnë më shumë barrën e pagesës së huasë, ku përkatësisht 27% dhe 24% e tyre thonë se pagesa kalon 20% të të ardhurave.
Sa i përket familjeve, një pjesë e madhe e tyre janë përballur me rritjen e ngarkesës së kredisë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 74% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e kredisë përbën më pak se 30% të të ardhurave mujore, një rritje prej 5 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, 26% e familjeve janë përballur me një pagesë që kalon këtë nivel, megjithatë kjo shifër ka mbetur e pandryshuar nga një vit më parë.
Në lidhje me mënyrën e huamarrjes, 41% e familjeve që kanë marrë kredi gjatë gjysmës së parë të vitit kanë përdorur institucione financiare, ku 35% e huamarrësve kanë marrë kredi bankare dhe 6% kanë përdorur kartat e kreditit ose overdraft-in. Po ashtu, 38% e huamarrësve kanë marrë para në dorë, ndërsa 20% e tyre kanë marrë kredi në formë malli të papaguar.
