Vodafone do të ndërtojë një sistem të shpejtë dhe me kapacitet të lartë kabllor me fibër optike nënujore në Greqi, që do të lidhë Kretën me territorin kontinental, me qëllim forcimin e ekonomisë digjitale lokale dhe përmirësimin e aksesit në shërbime jetike online si shëndetësia, arsimi dhe bankat.
Vodafone po ndërton gjithashtu tre sisteme të reja kabllore tokësore me shpejtësi të lartë, të cilat, së bashku me rrugën nënujore, do ta ndihmojnë Greqinë të pozicionohet si një hallkë kryesore në korridorin digjital të Evropës drejt kontinenteve të tjera. Këto sisteme do të rrisin lidhjen e internetit për individë dhe biznese në të gjithë vendin dhe do t’u ofrojnë operatorëve të tjerë dhe ofruesve të shërbimeve të internetit (ISP) qëndrueshmëri më të madhe dhe kapacitet shtesë në bazë shumice.
Punimet për kabllon e re nënujore me fibër kanë filluar, ndërsa studimi detar është tashmë në zhvillim. I gjithë sistemi do të përbëhet nga dy segmente detare prej 129 dhe 163 kilometrash, si dhe nga lidhje tokësore përmes ishullit Milos dhe pikat përfundimtare në Kretë dhe Athinë.
Pasi të vihet në funksion, “Thetis Express” do të ketë një gjatësi totale prej rreth 340 kilometrash dhe do të lidhë qendra të dhënash neutrale për operatorët në Heraklion (Kretë) dhe në Attika (Athinë). Ai do të jetë i aftë të transmetojë deri në 180 terabitë të dhëna për sekondë – ekuivalenti i rreth 25 milionë përdoruesve që transmetojnë video 4K në të njëjtën kohë.
Fanan Henriques, Drejtor i Produkteve dhe Biznesit Ndërkombëtar në Vodafone Business, deklaroi:
“Vodafone luan një rol qendror duke bërë të mundur që trafiku i internetit të qarkullojë në mënyrë të qetë dhe të sigurt në mbarë botën. Tani po e zgjerojmë këtë kapacitet në më shumë zona të Greqisë përmes një kombinimi të kabllove të reja tokësore dhe nënujore me fibër optike, si dhe në të ardhmen, përmes shërbimeve satelitore në zhvillim, si interneti mobil direkt nga hapësira në pajisje.”
Thetis Express, së bashku me rrugët tokësore plotësuese për përdorim me shumicë, do t’u ofrojë ofruesve të palëve të treta një gamë më të gjerë shërbimesh ndërlidhjeje me shumicë nga dhe drejt Greqisë, drejt pjesës tjetër të Evropës, si dhe drejt Azisë Juglindore. Klientët me shumicë dhe me pakicë do të përfitojnë nga mundësia për të devijuar shpejt trafikun në rast të një ndërprerjeje kabllore ose mungese energjie, si dhe nga ndërlidhja më e shpejtë në zona të gjera – përfshirë edhe në nivel lokal – gjatë aksesimit të shërbimeve online, transmetimit të të dhënave apo pjesëmarrjes në video-konferenca.
Planet përfshijnë lidhjen e Thetis Express me rrjetin e gjerë kabllor 2Africa, i cili tashmë është i lidhur në stacionin e zbarkimit të Vodafone në Kretë dhe që në fund do të lidhë 33 vende në Afrikë, Evropë dhe Azi. Vodafone Greqi operon tashmë një infrastrukturë të gjerë rrjetesh nënujorë dhe tokësorë në detet Egje dhe Jon. Këto lidhin Attikën me ishujt Cikladë (Syros, Tinos, Mykonos, Naxos, Paros dhe Santorini), Dodekanezin (Kos dhe Rodos) dhe Kretën, si dhe lidhin Korfuzin me Greqinë kontinentale. /ekofin.al
